MENU
klinika

"U paralajmërova nga SHBA-të"

Albin Kurti: Situata në veri mund të përkeqësohej

26.11.2022 - 19:56

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se u dakordësua për një kompromis në lidhje me çështjen e targave të automjeteve, pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, se situata në veri të vendit mund të përkeqësohej.

Deklaratën, Kurti e dha në një intervistë për korrespodentin në Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Matens, i cili ka shpërndarë në rrjetet sociale, disa nga përgjigjet e tij.

“Kurti tha se ishte dakord për një kompromis në “krizën e targave” pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”, ishte përgjigja e Kurtit ndaj pyetjes së gazetarit.

Ndër të tjera, Kurti bëri me dije se Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor.

Kosova dhe Serbia, më 23 nëntor në Bruksel, kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.