Deputeti i Partisë Demokratike, Enkeled Alibeaj ka ngritur pikëpyetje mbi projektin e Portit të Durrësit, duke deklaruar se “skenari i pastrimit të parave që po bëhet sot në kullat e Tiranës, mund të përsëritet edhe në këtë projekt”.
Alibeaj deklaroi se qeveria shqiptare pëson humbje prej 350 milionë eurosh nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrësit.
“Ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 mln Euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard Euro. Pra, kush i merr përsipër këto kosto dhe a i ka kalkuluar qeveria shqiptare këto kosto shtesë për realizimin e projektit të Portit të Durrësit?
Krahas asaj që e përmendëm më lart, pra shteti ofron 630 milionë euro pasuri dhe të drejta, shteti do të përballojë kosto e transferimit, kostot e shpronësimeve, kosto e shërbimeve ligjore dhe kosto e depozitimit të mbetjev”, shprehet ai.
Pjesë nga deklarata
Leverdia ekonomike: Pyetje që me të drejtë mund të ngrejë cdo qytetar, është cila është leverdia ekonomike që ka shteti shqiptar për realizimin e këtij projekti. Për të kuptuar leverdinë, do të na duhet të kuptojmë se cfarë ofron shteti shqiptar dhe cfarë merr në këmbim. Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë Euro. Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje.
Një mënyrë tjetër për të vlerësuar leverdinë ekonomike, mund të ishte duke parë praktikat që ndjek cdo pronar toke që ofron për zhvillimin pronën e tij. Në kontrata private, pronari i tokës merr të paktën 30% të sipërfaqes ndërtimore, cka në rastin konkret do të nënkuptonte që shteti do të përfitonte 612 milionë euro vlerë ndërtimi. Edhe në këtë rast rezulton se diferenca është 332 milionë euro më pak. Qartazi pra, shteti shqiptar nuk ka asnjë leverdi ekonomike nga kjo marrëdhënie kontraktuale.
Kompani e regjistruar në off-shore dhe pastrimi i parave: E keni dëgjuar kryeministrin dhe ministrat të mburren shpesh se po sjellin në Shqipëri një nga investitorët më të mëdhenj të Emirateve të Bashkuara, por pyetja që mund të ngrihet me të drejtë është: cila është arsyeja që një projekt i tillë i jepet një kompanie të regjistruar në off-shore? Pse kompania ndërkombëtare Emmar nuk ka ardhur vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, por nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Ishujt Kajman? Edhe këto janë pyetje që mbeten pa përgjigje. Emri i kësaj kompanie me reputacion ndërkombëtar, jo vetëm do t’i jepte siguri realizimit të këtij projekti, por do të ishte një marke e mirë për të garantuar suksesin e projektit në praktikë. Ndërkohë, nuk mund të mohohet rreziku që ekziston për pastrimin e parave nëpërmjet kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, aksionarët e të cilës mbeten enigmatikë. Pra, shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë informacion se si do të ndryshojnë aksionarët e kompanisë mëmë. Është fakt se sipërmarrësi privat ka ofruar vetëm 80 mln euro nga kapitalet e tij dhe 80 mln euro nga kreditë bankare, pra në total 160 mln euro, ndërkohë që paratë e tjera thuhet se do sigurohen nga borxhe, kredi apo investime nga të tretë dhe shitjet në fazë projektimi.
Se kush janë këta të tretë mbetet e paqartë, por nuk është i largët skenari që pastrimi i parave që po bëhet sot në kullat e Tiranës, të përsëritet në rastin e portit të Durrësit.
Ndarja e aksioneve dhe shpërndarja e dividentit: Marrëveshja përcakton se shteti shqiptar do të ketë 33% të kompanisë së re që do të krijohet, ndërsa sipërmarrësi privat 67%. Ajo që mbetet e pasqaruar është se si është bërë kjo ndarje aksionesh, në një kohë që sic kemi shpjeguar më parë shteti shqiptar ka ofruar 630 milionë euro, ndërsa sipërmarrësi privat do të ofrojë vetëm 160 milionë euro. Nga ana tjetër, thuhet se fitimi i shtetit shqiptar do të vijë nëpërmjet dividentit, pra ndarjes së fitimeve, por duke qenë se jetojmë në Shqipëri dhe skemat me kompani publiko-private që dalin vazhdimisht me humbje nuk janë të panjohura, si do të garantojë shteti që kompania nuk del cdo vit me humbje dhe shteti nuk fiton asgjë. Skemat janë të njohura: marrja e kredive dhe borxheve në shuma të larta, nënkontraktimet me fatura të fryra tej logjikës ekonomike dhe shpërndarja e fitimit nëpërmjet pagave marramendëse të stafit. Megjithëse pra, se në teori thuhet se shteti mund të fitojë 280 mln euro nga ndarja e fitimeve, mundësitë janë të mëdha që shteti të mos fitojë asgjë, pasi kompania do të dalë cdo vit me bilanc negativ.
Mungesa e plotë e transparencës dhe impakti social: I gjithë ky projekt, i cili do të ketë një impakt të madh ka kaluar në mungesë totale të transparencës me qytetarët dhe publikun. Deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion lidhur me zhvillimin e këtij projekti dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e ka refuzuar dhënien e informacion me pretendimin absurd të ruajtjes së konfidencialitetit. Ndërkohë, që edhe me qytetarët, shoqërinë civile, komunitetin e qytetit të Durrësit nuk rezulton të ketë pasur asnjë lloj konsultimi apo marrje mendimi. Pra, një projekt, i cili do të ketë impakt mbi gjithë jetën e qytetit dhe qytetarëve, pasi do të sjellë mbylljen e bizneseve të zonës, dëmtimin e bizneseve të ndershme që veprojnë në sektorin e ndërtimit, luhatjet e mëdha në cmimin e pronave të qytetarëve, nuk i nënshtrohet një konsultimi publik, pra për të kuptuar se cfarë realisht duan qytetarët e Durrësit dhe sa dakord janë ata me këtë projekt.
Cfarë ndodh me portin aktual: Ajo që mungon në dokumentacion e sjellë dhe nuk thuhet asgjëkundi është se si do të realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano? Cfarë kosto ka ky transferim? Kush i përballon këto kosto? A do të sjellë kjo kosto të rritura për qytetarët dhe bizneset? Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto pyetje, por ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 mln Euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard Euro. Pra, kush i merr përsipër këto kosto dhe a i ka kalkuluar qeveria shqiptare këto kosto shtesë për realizimin e projektit të Portit të Durrësit?
Krahas asaj që e përmendëm më lart, pra shteti ofron 630 milionë euro pasuri dhe të drejta, shteti do të përballojë kosto e transferimit, kostot e shpronësimeve, kosto e shërbimeve ligjore dhe kosto e depozitimit të mbetjeve. A ka një përllogaritje të të gjitha këtyre kostove dhe nëse po, cila është leverdia ekonomike nga realizimi i këtij projekti? Asnjë pronar privat toke nuk do të pranonte të hiqte dora nga prona e tij në mënyrë që të dilte me humbje. Si është e mundur atëherë që këtë e bën pronari shtet?
Procedura e përshpejtuar parlamentare: Pyetjet dhe paqartësitë e mësipërme meritojnë një debat të gjërë publik dhe parlamentar, në mënyrë që të merrnin përgjigje shteruese. E megjithëse ka kaq shumë pyetje dhe kundërshti, qeveria ka zgjedhur ta kalojë këtë projektligj me një diskutim minimal 2-ditor. Është e qartë se kjo përpjekje e qeverisë ka për qëllim që të kalojë pa debat, pa transparencë, pa llogaridhënie një projekt në kundërshtim me Kushtetutën, MSA-në, ligjet shqiptare dhe interesin publik.