Lëvizja e lirë e shqiptarëve ka filluar me Greqinë që në dhjetor 2002. Këtë na e dëshmon ambasador Bashkim Zeneli në librin e tij “Miqësi e trazuar”, botuar pak vite më parë. Me ndërhyrjen e tij te ministri i Rendit, u arrit që shqiptarët që nuk kishin dokumente në Greqi të lëviznin dy javë në vit për Vitin e Ri dhe Pashkët.
Për këtë propozim të bërë nga ambasador Zeneli, u vu në lëvizje qeveria greke dhe vetë Kryeministri Simitis, i cili pranoi që të shkelej çdo rregull për shkak të miqësisë dhe fqinjësisë mes dy vendeve. Ky vendim i qeverisë greke ishte akt i një vullneti të madh politik për bashkëpunim.
Është i njohur fakti se në atë periudhë 2002-2006, marrëdhëniet midis dy vendeve e dy popujve, njohën një zhvillim të madh dhe gjatë këtyre viteve janë nënshkruar 10-12 marrëveshje në vit, që kanë lehtësuar dhe përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
BASHKIM ZENELI
NJË MREKULLI: SHQIPTARËT MUND TË HYJNË E TË DALIN NË ATDHE PA DOKUMENTE
Dalëngadalë po afronin festat e fundvitit. Në Greqi, festat festohen në një atmosferë të jashtëzakonshme familjare e shoqërore. Njësoj si grekët festonin edhe shqiptarët. Për Krishtlindje, Vit të Ri dhe Pashkë përgatiteshin të gjithë.
Por një numër jo i vogël parapëlqente që këto festa t’i kalonte në atdhe dhe nisnin udhëtimin me makina e autobusë. Sigurisht që mundësinë për të zgjedhur e kishin vetëm ata që ishin të pajisur me dokumente, konkretisht me leje të rregullt qëndrimi. Pjesa më e madhe e kishte të pamundur të festonte me familjet e të afërmit në Shqipëri. Shumë prej tyre “ishin të privuar” nga kjo e drejtë prej vitesh.
Një situatë krejtësisht e pakëndshme, stresuese dhe dëshpëruese për dhjetëra mijëra emigrantë.
Bisedova me konsullin, z. Andi Mahile, dhe rrahëm mendime se çfarë mund të bënim, si mund ta kapërcenim këtë situatë, ndërsa nuk kishte shumë kohë. Jo çdo gjë ishte për faj të emigrantëve. Kishte me mijëra shqiptarë me leje provizore qëndrimi dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund të lëviznin – kam parasysh, të hynin e dilnin në atdhe.
Kishte me mijëra bashkatdhetarë që kishin aplikuar në prefektura për leje qëndrimi, por në pritje të daljes së saj, nuk kishin mundësi të lëviznin. E njëjta gjë ndodhte edhe për atë kategori që aplikonte për rinovimin e lejes së mëparshme të qëndrimit. Këtyre të fundit u jepej thjesht një vërtetim që sqaronte se kanë dorëzuar në prefekturë lejen e vjetër, apo që kanë bërë një kërkesë. Kjo i shërbente policisë që në rastet e mundshme të përballjes me ta, të mos i trajtonte si ilegalë. Në këtë kategori llogaritej se bënin pjesë afro 300 000 – 350 000 bashkatdhetarë.
Mendova të bisedoja me ministrin e Rendit Publik, z. Hristohoidis. Me të isha njohur vite më parë, në veprimtari të ndryshme të PASOKU-t në Athinë. Ishte ndër figurat më të njohura dhe ishte shumë serioz. Edhe në popull gëzonte respekt të gjerë. Në fakt, ministri Hristohoidis më kishte telefonuar me të mbërritur në Athinë për të më uruar mirëseardhjen dhe punë të mbarë. Për rastin, zyra e tij më njoftoi se më priste sa më parë, që atë pasdite.
Shkova me diplomatin Andi Mahila, ndërsa ministri Hristohoidis më priti në zyrë në prani të këshilltarit të tij diplomatik, që kishte punuar në ambasadën greke në Tiranë. Nuk e njihja, sepse në të njëjtën periudhë, unë kisha qenë në ambasadë në Gjermani. Takimi ishte shumë miqësor. Ministri Hristohoidis ishte jo vetëm i hapur, por edhe shumë i qeshur. Vishej shumë elegant dhe përherë e shihje në këtë format.
Z. Hristohoidis u shpreh shumë i gatshëm për të bashkëpunuar sa më mirë edhe me ministrinë tonë të Rendit, por edhe me strukturat e policisë në luftën kundër krimit dhe trafiqeve. Më tha se do e gjeja derën të hapur në çdo kohë… “kemi shumë për të bërë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit”.
Pastaj i fola për problemin që kisha. I fola shumë hapur dhe i kërkova të gjendej një rrugë, një mundësi, që këta shqiptarë pa dokumente të mund të lëviznin për disa festa, konkretisht për Pashkë e Vitin e Ri, për të festuar në atdhe, me familjet e tyre. Duhej bërë diçka. “Ne po flasim, – iu drejtova ministrit, – se duhet të punojmë shumë për të forcuar marrëdhëniet midis dy popujve dhe dy vendeve tona…” Kjo ka qenë edhe tema e bisedës shumë miqësore me presidentin, z. Stefanopoulos. Por emigrantët këtë marrëdhënie të mirë e shohin në radhë të parë te vetja. “Kanë lindur fëmijë këtu, që u janë bërë 10 – 12 vjeç dhe gjyshërit e gjyshet në Shqipëri ende nuk i kanë njohur. Këta nuk kanë dokumente për të lëvizur, ndërsa gjyshërit, me shumë gjasa, vështirë se do të mund të marrin dot vizë për të ardhur këtu. Do të na ndihmoni? Kam ardhur me besimin e palëkundur se do të gjejmë një zgjidhje. Nuk them dot, se nuk largohem pa pasur një premtim, por kam bindjen se do të bëni diçka. Mijëra shqiptarë që jetojnë këtu, por edhe mijëra të tjerë në Shqipëri, familjarë e të afërm të tyre, do t’u jenë shumë mirënjohës”.
Andi Mahila i shpjegoi ministrit edhe disa detaje teknike që lidheshin me punën e administratës lokale e që ishin pengesë për lëvizjen e lirë.
Z. Hristohoidis më dëgjoi gjatë gjithë kohës me shumë vëmendje dhe u shpreh se ishte plotësisht dakord me mua, ndonëse disa elementë të kësaj çështjeje nuk lidheshin direkt me ministrinë e Rendit, por me atë të Brendshme.
Ai më tha, se “e kuptoj shumë mirë që emigrantët shqiptarë nuk mund dhe nuk duhet të penalizohen në këtë mënyrë, sepse vërtet ka vonesa e peripeci nga ata që merren me këtë punë… Dhe që të mos u mundësohet emigrantëve të shkojnë në atdhe (flas për ata që gjithsesi nuk ishin ilegalë, por pa të drejtë lëvizjeje), të paktën për raste festash… ky nuk është një mesazh i mirë për ne… Ju mbështes në ato që thatë se marrëdhëniet e mira fillojnë këtu… Duhet të gjejmë një zgjidhje…
Foli në telefon me një drejtues të lartë të Policisë dhe, sikundër më shpjegoi z. Maliha kur dolëm, e kishte pyetur se çfarë mund të bëhej… Në fund, më tha: “Z. ambasador, ndaj plotësisht me ju shqetësimin që keni… Tani për tani, nuk mund t’u jap asnjë përgjigje, por u siguroj se do të përpiqem të gjej një zgjidhje për bashkatdhetarët tuaj… Janë disa procedura ligjore, por sigurisht që duhet të shohim edhe anën humane…”.
E falënderova miqësisht. Kisha besim, nga mënyra se si e vlerësoi kërkesën tonë, se do të bëhej diçka. Të nesërmen, rreth drekës, kabineti i ministrit të Rendit Publik, telefonoi z. Mahila dhe e vuri në dijeni se z. Hristohoidis kërkonte të takohej me mua, atë pasdite. Dukej se do të kishim lajme të mira.
Unë u paraqita përsëri së bashku me Andin, ndërsa ministri, këtë radhë, na priti me 4-5 oficerë, drejtues të Policisë së Shtetit. U përshëndetëm. Z. Hristohoidis, entuziast dhe vërtet i gëzuar, m’u drejtua: “E gjetëm një zgjidhje, z. ambasador. Bisedova edhe me ministrin, z. Skandalidis, dhe gjeta të njëjtën gatishmëri për të gjetur zgjidhjen e duhur. Përfundimisht, u takova edhe me kryeministrin, z. Simitis, i cili më tha: ‘Patjetër duhet të gjejmë një zgjidhje për emigrantët shqiptarë që t’i kalojnë festat e fundvitit në atdhe. Është më se normale. Unë jam dakord’. Ne, z. ambasador, kemi menduar këtë zgjidhje: emigrantët që nuk kanë dokumente të rregullta lëvizjeje do të kenë mundësi të hynë e të dalin një herë, për një periudhë 15-ditore, duke filluar pak përpara Krishtlindjeve dhe deri në ditët e para të janarit të vitit në vijim. Drejtoria e Policisë Kufitare ka bërë gati urdhrin për të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe do të ma sjellë tani për ta firmosur, në praninë tuaj”.
E falënderova pa masë. Do të ishte një lajm shumë, shumë i mirë për bashkatdhetarët. Do të takoheshin e gëzonin në atdhe, me familjet e tyre që nuk i kishin parë prej vitesh.
Në pritje që të sillnin për firmë urdhrin, ministri Hristohoidis më drejtohet, duke buzëqeshur: Është shumë mirë që e kam mik prokurorin e përgjithshëm, se do të më akuzonte për shpërdorim detyre.
“Ne, ballkanasit, i njohim mirë ‘ndërhyrjet’”, i thashë edhe unë duke qeshur.
I sollën në tavolinë urdhrin, të cilin e firmosi. Një kopje ma dha mua, sigurisht në greqisht. Më tha se nga ky urdhër do të përfitonin emigrantët e të gjitha vendeve fqinje që ishin në të njëjtat kushte me ato të shqiptarëve. Pastaj, si veças, më tha se duhej të nxisja të vinte sa më parë në Athinë oficeri i kontaktit i Ministrisë Shqiptare të Rendit, për një bashkëpunim sa më të afërt me autoritetet e policisë greke.
E falënderova edhe një herë me shumë mirënjohje.
Duke dalë në korridorin përpara zyrës së ministrit, gjej një prani shumë të madhe të shtypit.
“Të themi diçka për shtypin, z. ambasador”, më thotë ministri. “Me shumë kënaqësi”, iu përgjigja.
Gjeta rastin të falënderoj qeverinë greke dhe Kryeministrin, z. Simitis, sikundër edhe ta vlerësoj këtë veprim, si shprehje të plotë dhe të vërtetë të vullnetit për të punuar së bashku, për të forcuar marrëdhëniet midis dy popujve dhe dy vendeve. Më pas, theksova: “Sot, qindra mijëra shqiptarë janë lumturuar jashtëzakonisht shumë, por të njëjtën gjë mund të them edhe për familjet e tyre në Shqipëri”.
Duke u kthyer në ambasadë, nga makina, i telefonova Kryeministrit, z. Nano, si dhe ministrit të Jashtëm, z. Meta, thjesht për t’i vënë në dijeni, sepse më pas do t’i informoja më hollësisht. Të dy e vlerësuan shumë këtë fakt.
Por, në detaje më teknike do të duhej të informohej ministri ynë i Rendit, z. Luan Rama. Ai duhej të njihej menjëherë me dokumentin që kishte firmosur ministri grek për emigrantët dhe, nëpërmjet tij, duhej t’u bëhej i qartë ky urdhër edhe pikave të kalimit tonë kufitar, që të mos krijonin probleme me emigrantët, sidomos gjatë kthimit për në Greqi. Ishte një politikë krejtësisht e re.
Televizionet greke e përsëritën disa herë kronikën e takimit me ministrin Hristohoidis dhe e referuan shuam qartë urdhrin për lëvizjen e lirë. Ndonëse ishte pasdite vonë, qindra bashkatdhetarë të entuziazmuar u mblodhën përpara ambasadës dhe kërkonin të dinin më shumë. Diplomatët, që i mblodha për t’u komunikuar këtë vendim kaq të rëndësishëm, u lidhën më pas me organet kryesore të shtypit shqiptar në Athinë, por edhe me shumë korrespodentë të gazetave të ndryshme në Tiranë, për të bërë edhe një herë sqarimet e rastit. Diplomati Andi Mahila, krahas urdhrit të ministrit që i shpërndava shtypit, bëri edhe shpjegimet procedurale e teknike që dilnin në rrjedhojë të tij për lëvizjen e emigrantëve drejt atdheut.
(Të nesërmen paradite do të më telefononte ambasadori i Bullgarisë, me të cilin isha takuar vetëm një herë, në festën tonë kombëtare. Ai vinte në këtë post nga fusha e biznesit. Më falënderoi, duke më thënë se nga bashkatdhetarët tuaj, kanë përfituar edhe bashkatdhetarët e mi, sa i takon lëvizjes drejt atdheut për festat e fundvitit).
Të nesërmen e daljes së urdhrit, në bisedë me Kryeministrin Nano, i shfaqa mendimin se nga ministri i Rendit, ose zëdhënësi i qeverisë, do të ishte shumë mirë që këtë vendim ta përshëndeste edhe qeveria shqiptare, duke e vlerësuar si shprehje të qartë të vullnetit të mirë politik, në funksion të forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Kryeministri e mbështeti këtë propozim dhe vetëm 2-3 orë më vonë, zëdhënësi i qeverisë, z. Aldrin Dalipi, do ta bënte të njohur deklaratën e kryeministrit Nano në një komunikim me median. Kjo deklaratë u prit mjaft mirë në qarqet zyrtare greke. Menjëherë më telefonuan ministri i Rendit Publik, z. Hristohoidis, si dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, z. Loverdos.
Në orët e vona të pasdites do të më telefononte edhe z. Sotiropoulos, këshilltar diplomatik i Kryeministrit Simitis. (Kur shkova në Greqi, mësova se z. Sotiropoulos ishte martuar me diplomaten Katerina Nasika, që kishte punuar në ambasadën greke në Tiranë, në vitet kur unë isha deputet. Me të kam pasur marrëdhënie shumë të mira dhe ishim miq familjarisht. Ajo i donte shumë dy vajzat e mia të vogla, Valbonën dhe Rudinën. Ishte një grua jashtëzakonisht energjike, sportive dhe tepër simpatike. Shumë e zgjuar! Sapo mbërrita në Athinë, do t’i telefonoja në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku punonte në rolin e këshilltarit të ministrit Plotësues të Punëve të Jashtme, z. Giannitis, për të pirë një kafe së bashku, në mjediset e “Grand Bretagne”, që ishte vetëm 50-60 metra larg nga Ministria e Punëve të Jashtme. Disa ditë më vonë do të uleshim për të ngrënë edhe një darkë, në një lokal të bukur në Kolomaki, këtë radhë në shoqërinë edhe të Engjëllushes dhe z. Theodoros. Z. Theodoros ishte një burrë i kulturuar, i qetë, i matur, i vëmendshëm, i cili më ngjasonte më shumë me një gjerman se me një grek për nga përpikëria. Të tillë do ta njihja gjatë gjithë atyre viteve. Dhe duhet të theksoj faktin tjetër, që është një gjermanishtfolës i shkëlqyer. Miqësia me këtë çift të nderuar më hapi shumë dyer në Athinë për zgjidhjen e problemeve të shumta që kishte vetë natyra e kësaj pune. Do t’i jem sinqerisht gjithmonë mirënjohës z. Sotiropoulos për mbështetjen që më ka dhënë, deri në kohën që u largua me detyrën e ambasadorit të Greqisë në Austri…).
… Këtë vendim për lëvizjen e lirë e pasqyroi edhe shtypi shqiptar. Në prag të festave të fundvitit ishte një atmosferë entuziaste. Por nuk mungoi që ndonjë kryetar shoqate, nga ata që u larguan nga takimi në ambasadë, të shprehej nëpër takime e tavolina me uzo përpara, se “ky vendim ishte si një leje për liridalje disaditore që u jepej të burgosurve”. Ishte vërtet provokative! Dakord që ishte një leje thjesht pesëmbëdhjetëditore, por më mirë kaq, sesa aspak! Dhe ishte një leje për kalim kufiri dhe kthim përsëri në Greqi, pa dokumentet e domosdoshme. Dhe ishte një leje, në radhë të parë, për ata që kishin vite e vite pa u kthyer në atdhe! Dhe çfarë kërkonin tani një “takëm” kryetarësh që bënin deklarata të tilla?
Por kryetarët e shoqatave më të mëdha shqiptare, si: Novruz Abilekaj, Mihal Jano, Rudi Mëhilli, Jovan Mëhilli, Hider Buci, Flutura Tafillaku, Eduard Tafaj, Lefter Simoni, Nase Jani, Miho Gjini etj., etj., do ta përshëndetnin publikisht këtë vendim të qeverisë greke.
… Tashmë janë mbushur 16 vjet nga dalja e atij vendimi për lëvizjen e lirë të bashkatdhetarëve. Do të vinte viti 2003, 2004, 2005 dhe të tilla vendime do të dilnin përsëri, me afate kohore më të gjata, me rastin e Pashkëve, të pushimeve verore dhe përsëri për festat e fundvitit, pra, në total, për afro 4-5 muaj në vit.
Në shkrime të ndryshme që kam botuar në shtypin shqiptar vitet e fundit, kam thënë hapur se kjo është e vërteta; se lëvizja e lirë e shqiptarëve, pavarësisht kufizimeve kohore, ka nisur në dhjetor të vitit 2002 dhe ka nisur në Greqi. Sot, falë ndryshimeve që kanë ndodhur me liberalizimin e lëvizjes së lirë dhe të drejtës që kanë fituar shqiptarët për të shkuar kudo në botë, pra, sot, ajo që ndodhi 16 vjet më parë, do të duket si diçka pa shumë rëndësi… Por për atë kohë, për ato vite, ishte e jashtëzakonshme! Këtë nuk duhet ta harrojmë! Në fakt, nuk e harrojnë ata mijëra emigrantë shqiptarë që e gëzuan këtë të drejtë në ato vite të vështira. Nuk ishte një zgjidhje “konsullore”! Ishte një vullnet politik, shprehur shumë qartë. Dhe vetëm me vullnet politik dhe mirëkuptim kapërcehet çdo gjë!
… Në mesin e muajit dhjetor organizova një takim me të gjithë ambasadorët e akredituar në Athinë, që mbulonin edhe Shqipërinë. Takimin e organizova në hotel “Hilton”, sepse në ambasadë, sikundër kam shkruar edhe më sipër, nuk mund të pritej asnjë diplomat në gjendjen që ishte katandisur. Ishin ambasadorët e Ukrainës, Qipros, Koresë, Irlandës, Libanit, Algjerisë, Tunizisë, Armenisë, Libanit, Sllovakisë, Australisë, Sirisë dhe Lituanisë.
Ishte një takim njohës, por i domosdoshëm, për të shkëmbyer mendime për forcimin e raporteve të Shqipërisë me këto vende, në fusha të ndryshme.
Në vitin 2003, me rritjen e numrit të diplomatëve në stafin e ambasadës, caktova z. Petrika Jorgji, profesionist i zoti, të merrej më nga afër me raportet me këto ambasada.
Ndërtova marrëdhënie shumë miqësore me ta, sidomos me ambasadorët e Ukrainës, Koresë, Sllovakisë e sidomos me ambasadoren e Irlandës, Margaret Hennessy. Ajo ishte në prag të përfundimit të karrierës së saj. Ishte një grua tipike irlandeze, përherë me buzë në gaz dhe shumë e hapur në biseda. Vishej shumë thjesht e pothuaj përherë njësoj. Me të bashkëpunuam shumë ngushtë, sidomos në gjashtëmujorin e parë të vitit 2004, kur Irlanda mori presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Dukej shumë qartë, nga mjaft probleme që kam zgjidhur me të, se kishte autoritet dhe i dëgjohej fjala në qeverinë e saj.
Pa u shkëputur gjatë, do të tregoj vetëm një rast: më telefonoi kryeministri Nano dhe më tha se nëpërmjet ambasadës sonë në Londër, që mbulonte edhe Irlandën, po punohej për një vizitë të tij në Irlandë. Por mbas disa përpjekjeve me nota verbale, nuk kishte asnjë përgjigje prej gati 2 muajsh. Kryeministri Nano më kërkoi ta bisedoja këtë çështje me ambasadoren e Irlandës në Athinë. Z. Nano dëshironte të takohej me kryeministrin e vendit, në kuadër të një ndeshjeje futbolli ndërmjet dy përfaqësueseve në Irlandë. I telefonave znj. Hennessy dhe më priti menjëherë. Në takim shkova së bashku me z. Petrika Jorgji. Ambasada ishte vetëm 10 metra larg stadiumit të Lojërave Olimpike të vitit 1896. I shpjegova gjithçka… Në praninë tonë, foli me kabinetin e kryeministrit të vet dhe kërkoi të fliste me vetë kryeministrin. Gjatë bisedës, ndërmjet të tjerave, i bëri me dije se kishte në zyrë ambasadorin e Shqipërisë… Kur mbaroi, e kënaqur nga rezultati i bisedës, m’u drejtua: “Bashkim, çdo gjë në rregull. Kryeministri do ta presë me shumë kënaqësi kryeministrin tuaj, z. Nano. Do të dërgoj, për të përcjellë në Tiranë, disa detaje teknike.” E falënderova shumë miqësisht. I gjithë takimi nuk zgjati më shumë se 25- 30 minuta.
Sapo u futa në makinë, telefonova Kryeministrin Nano dhe i shpjegova gjithçka.
“Vërtet?”, më pyeti. “Si ka mundësi kaq shpejt? Unë me nota verbale me Londrën jap e marr prej 8 javësh dhe pa asnjë përgjigje. Do të vish edhe ti…”
“Jo, jo, herë tjetër”, iu përgjigja.