Shqipëria do të zhvillojë një sfidë miqësore me Italinë nesër në stadiumin “Air Albania”. Në prag të ndeshjes, trajneri Edy Reja dhe portieri kuqezi Etrit Berisha dolën në një konferencë për mediat.
Ky i fundit u shpreh se kjo ndeshje do tju japë mundësinë për të treguar vlerat e tyre dhe sa të fortë janë. Ndër të tjera Berisha u shpreh se nuk i frikësohet asnjë ekipi dhe se do të përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne, sidomos pas ndeshjeve jo të mira që kemi bërë në Nations League, kjo është një mundësi për të treguar vlerat tona. Duke i njohur ekipin e Italisë do të mundohemi të bëjmë një ndeshje shumë të fortë pasi kemi kualitetet e duhura.
Atmosfera është e mirë, mentalitet na ndëshkon paksa kur kemi ekipe që janë të njëjtët ose më poshtë se ne, atëherë ne humbim përqëndrimin, ndërsa kur kemi ekipe më të forta luajmë dhe më mirë, besoj kemi mësuar nga gabimet tona.
Shpresoj të paraqitemi sa më mirë, të jemi sa më të përgatitur, të mos lejojmë gabimet pasi Italia ka ekip shumë të mirë. Nuk jam i frikësuar thjesht kam respekt për Italinë, pasi shquhet për lojë teknike. Në Europian janë dalluar të gjithë, do përgatisim lojën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nuk është se i njoh të gjithë të rinjtë që kam parë. I kam parë në një stërvitje apo dy që kemi bërë këto ditë. Jam i sigurt që janë lojtarë me cilësi, mendoj se mund të jenë të gatshëm për t’u promovuar edhe në të ndeshjet e ardhshme. Janë ndeshje të rëndësishme për të ardhmen, trajneri ka bërë mirë që ka ftuar këto lojtarë pasi i ka parë në ndeshjet e fundit. Shpresoj që të kenë mundësi për ta që të luajnë në të ardhmen.
Torino? Për mua, në fundin e kampionatit të kaluar, kur kam luajtur, jam munduar që të jap maksimumin dhe mendoj se e kam ndihmuar ekipin. Në atë moment ekipi po shkonte mirë, ndaj fundi i kampionatit ishte shumë i kënaqshëm për mua.
Kam pritur edhe në të ardhmen të kem më shumë hapësirë, mirëpo nuk ndodhi ashtu. Me siguri do të mundohem të bëj maksimumin tim që të pres rastin tim, në të kundërtën do të mundohem që të gjej hapësirë ndoshta diku tjetër. Të shohim”, u shpreh Berisha.