E nisur edhe nga vdekja e Mahsa Amini-t në Iran që u bë shkak për nisjen e protestave dhe revoltës masive në vend, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlidna Bregu i ka dedikuar një shkrim dhunës me bazë gjinore.
Në një shkrim të publikuar në mediat e saj sociale, Bregu shprehet se gratë e dinë më së miri se dhuna nuk është thjesht një incident por një “model sjelljeje për të ruajtur pushtetin dhe kontrollin mbi tjetrin.”
Ish-ministrja thekson se përtej dhunës fizike apo verbale tashmë edhe bota online po pasqyron të njëjtat modele diskriminimi që ka ajo që ajo e quan bota offline. Duke u kthyer te rasti i 22-vjeçares Mahsa, Majlinda Bregu thotë se nuk kemi të bëjmë thjesht me një histori që vjen nga Irani, por me “një histori hakmarrjeje të patriarkëve.”
MAJLINDA BREGU NË FACEBOOK
Gratë e dinë më së miri, dhuna nuk është thjesht një incident, por një model sjelljeje për të ruajtur pushtetin dhe kontrollin mbi tjetrin. Jo vetëm fizikisht, jo vetëm brenda vendit. Dhuna, përçmimi, gurët nën taka( që të thyesh qafën), janë forma abuzimi që ndodhin kudo e për këdo.
Madje edhe nëse çdo grua që ka patur një mision publik është përpjekur të bëjë diçka për t’i vënë fre dhunës ndaj grave, asnjëra nuk ka mundur e s’po ia del dot të ndalë një
çartje të re të abuzimit: atë që mundësohet sot nga teknologjitë digjitale,media sociale të dedikuara për t’ë poshtëruar publikisht gra dhe vajza.
Bota online pasqyron dhe imiton po ato struktura pushteti e modele diskriminimi që ka bota offline.
Pavarësisht nëse jemi personazhe privatë apo publikë, ne të gjithë kemi përvojat tona personale me kërcënimet, lojën e pushtetit, frikësimin e mizogjenëve në internet apo trolling patriotik, dezinformimin gjinor, të gjitha të destinuara si një instrument kontrolli për të dobësuar efektin mbi të drejtat e grave për pjesëmarrje politike si në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Dhuna me bazë gjinore është një kërcënim i vazhdueshëm për shoqëritë.
Vdekja brutale e Mahsa Amini nuk është vetëm një histori që vjen nga Irani. Është një histori hakmarrjeje e patriarkëve!