Milwaukee Bucks është i pandalshëm në këtë start sezoni të NBA, teksa së fundmi morën fitoren e nëntë radhazi në po kaq ndeshje të luajtura. Bucks mposhtën 108-94 Oklahoma City Thunder.
Edhe pse pa yllin e skuadrës Antetokounmpo, Bucks nuk ishin të varur, duke dominuar në parket. Lopez me 25 pikë, mbështetur nga Allen me 19 dhe Carter me 18 pikë, bënë diferencën, duke i dhënë suksesin e radhës skuadrës.
Fitojnë edhe dy skuadrat e tjera pretendente në Lindje, Boston Celtics dhe Brooklyn Nets, duke marrë fitoret e dyta radhazi. Por nëse Celtcs ngjiten në vendin e tretë, nuk është e njëjta gjë për Nets, që renditen të 11-t.
Në Perëndim, skuadra që po bën mirë është Phoenix Suns, që u rikthye menjëherë te fitorja, duke mposhtur bindshëm 102-82 Portland. Me 7 fitore dhe 2 humbje, Suns mbajnë kreun në këtë konferencë.