MENU
klinika

NBA

Bulls mposhtin Nets, Suns marrin kreun në Perëndim

02.11.2022 - 12:33

Në konferencën e Lindjes në NBA u zhvillua një nga ndeshjet më të bukura dhe spektakolare të këtij sezoni të ri, me Chicago Bulls që doli fitues nga përballja e madhe me Brooklyn, duke mposhtur Nets me rezultatin 108-99.

LaVine me 29 pikë ishte shënuesi më i mirë për Bulls, ndërsa për Brooklyn u dallua Durant me 32 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. Kjo humbje e fundit i ka kushtuar shumë trajnerit Steve Nash, që është shkarkuar me njëherë nga drejtuesit e Brooklyn. Nets kanë marrë vetëm 2 fitore në 8 ndeshje.

Po në Lindje, fitoi edhe Miami Heat, që mposhti 116-109 kampionët në fuqi të Golden State. Humbja e tretë për Warriors në këtë sezon, që nuk po tregojnë stabilitet. Strus që e nisi ndeshjen nga stoli ishte lider për Miami, duke realizuar 24 pikë. Mirë u paraqit edhe Butler me 23 pikë, ndërkohë që për miqtë u dallua i zakonshmi Stephen Curry me një “triple double”, 23 pikë, 13 rebound e 13 asist.

Në Perëndim, Phoenix Suns merr kreun e renditjes pas fitores 116-107 arritur ndaj Minnesotas. Ndeshje e dominuar nga vendasit, ku u dallua Johnson me 29 pikë. Vetëm 1 humbje për Suns, edhe ajo e pësuar vetëm pas kohës shtesë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN