MENU
klinika

Nxjerrin emrat e 2 vëllezërve shkodranë si ‘kriminelë’

“Daily Mail” i kthehet historisë së një të mituri shqiptar!

21.11.2022 - 11:03

Mediat angleze kanë vijuar të gjejnë histori që lidhen me emigrantët shqiptarë që mbërrijnë në brigjet e tyre.

Ditën e shtunë, ata i janë referuar një historie që lidhet me rrugëtimin e një të riu, i cili për të mos rënë në duart e përpunuesve të të dhënave për ta çuar në azil, ka zgjedhur të hyjë në një shtëpi, ku ka gjetur derën hapur. Brenda asaj banese ka qenë një grua në moshë, e cila është frikësuar.

Djali, siç është mësuar edhe më herët, pasi mediat angleze i janë rikthyer disa herë historisë së tij, si për të dëshmuar, se sa të rrezikuar janë qytetarët e Doverit nga emigrantët e paligjshëm shqiptarë, ka kërkuar të bëjë një telefonatë. E, është pikërisht personi që djali ka dashur të telefonojë që ka bërë që në skenë të dalë emri i një personi, që sipas medias dhe autoriteteve angleze, rezulton të jetë me precedentë kriminalë. Madje, “Daly Mail”, në një shkrim të gjatë të saj, tregon se ky ‘kriminel’ është arrestuar së fundmi nga Policia e Shqipërisë për shkak se ka qenë duke pastruar para!

PO KUSH ËSHTË ‘KRIMINELI’ QË I REFEROHET ‘DAILY MAIL’
‘Një emigrant ilegal shqiptar, adoleshent, u fut me forcë në shtëpinë e një gruaje në Dover të Britanisë, përdori telefonin e saj për të kontaktuar një kriminel të dënuar. Ky është hetimi i bërë nga “Daily Mail”, i cili zbuloi se adoleshenti kishte hyrë në shtëpi menjëherë pasi kishte mbërritur në plazhin e Doverit mes rreth 40 azilkërkuesve me një gomone të vogël që kishte kaluar Kanalin e La Mansh. Me një anglishte të dobët ai kërkoi që 59-vjeçarja Sue Doyle ta çonte në Londër ose Mançester dhe i rrëmbeu dy telefonat celularë.

Kështu e nis shkrimin media britanike duke pretenduar se ka kryer një investigim teksa kanë zbuluar se personi, të cilit i ka telefonuar shqiptari në moshë adoleshencë, ka qenë i rrezikshëm në tokën e tyre e këtë e mbështesin edhe tek arrestimi që Policia jonë i ka bërë në fundin e shtatorit këtij personi. Bëhet fjalë për Rezart Balesin, një shkodran që ka jetuar dhe punuar prej vitesh në Angli, ndërkohë që drejtësia britanike e ka dënuar atë dhe të vëllanë e tij për një sherr. Madje, sherri ka ndodhur pikërisht në biznesin që kishin dy vëllezërit shkodranë.

Vetë media britanike bën me dije se adoleshenti shqiptar ka kontaktuar këtë person për t’i ofruar ndihmë që mos të binte në duart e Policisë: “Është vërtetuar se adoleshenti ka kontaktuar Rezart Balesin, 40 vjeç, një shqiptar që jeton pranë Burry, Manchester, i cili është dënuar për konflikte të dhunshme në MB dhe është nën hetim në Shqipëri për pastrim parash prej gati 50,000 paundësh. “Mendoj se më kanë kapë. Merr një avokat. Policia erdhi në shtëpinë ku jam”, është mesazhi i fundit i adoleshentit dërguar Balesit. Zbulimet vijnë mes shqetësimeve në Dover lidhur me dështimin e Policisë për të mbrojtur banorët nga emigrantët e paligjshëm”, vijon zbulimin e vet media britanike.

SHERRI I BALESIT DHE ARRESTIMI NË FIER
Duke iu referuar të dhënave të shkrimit për emrat e shqiptarëve, të cilët konsiderohen problematikë për sigurinë e Britanisë, mësohet se Rezart dhe Refail Balesi rezultojnë të dënuar nga ana e një gjykate për një sherr të dhunshëm që është bërë në ambientin e biznesit të tyre në Britani 7 vite më parë. Madje, dënimi është dhënë për ta me kusht dhe është dhënë në vitin 2017, pasi djemtë prej Shkodre drejtonin një bar në zonën Lord Raglan. Por dy shqiptarët me sa duket nuk janë dënuar me burg, po vetëm kanë plotësuar kushtin e vënë nga gjykata në një masë 18- mujore, por emrat e tyre ruhen me kujdes në regjistrat e autoriteteve të Britanisë.

Emri i Rezart Balesit u bë i njohur në vendin tonë në fundin e shtatorit të këtij viti. Ai u arrestua me një shumë të konsiderueshme parash në zonën e Fierit. Policia e Fierit ia bllokoi paratë shkodranit dhe shpërndau një njoftim për media, në të cilin lihet të kuptohej se do të kryhej verifikimi i të shkuarës së personit që iu kapën rreth 50 mijë euro në makinë duke hyrë në Fier. Policia e Fierit bëri me dije se paratë ishin bllokuar pasi i zoti i tyre nuk i tregonte dot burimet, ndërkohë që nuk u mor vesh më se çfarë ndodhi me shkodranin dhe paratë e tija të bllokuara nga policia.

Por ajo që bie në sy është fakti, që mediat britanike i referohen policisë sonë për arrestimin e shkodranit, e madje tregojnë se ‘krimineli’ që u telefonua nga adoleshenti që donte të shmangte azilin është arrestuar në Shqipëri duke pastruar para. Në fakt, edhe policia e Fierit në reagimin e 29 shtatorit foli për të njëjtën vepër penale, ndonëse pa shpjeguar asnjë fakt se ku po pastroheshin paratë, ndërsa poseduesi i tyre po udhëtonte me to në mjetin e tij.