Dhuna, presioni i shoqërisë dhe britmat e një nëne dëshmori gjatë luftës së Kosovës ishin nxitëse për tronditjen e opinionit publik. Tri vajza, të ‘veshura’ jo thjesht me bluza të bardha por edhe me detyrën e shenjtë të humanizmit, dhunuan, qeshën dhe frikësuan një nënë, e cila prej moshës e kalitjes së viteve, nuk kishte fuqinë të mbrohej.
E së fundmi, vajza e të moshurës së azilit në Pejë, e tronditur nga ngjarja e rëndë kërkoi drejtësi. Duke e cilësuar si ‘fundin e botës’, e bija luti institucionet të merren seriozisht me këtë çështje.
“Nuk e di a mundem m’u shpreh. Jam e tronditur. Besoj që secili prej qytetarëve më kupton. Situata në të cilën gjendemi unë dhe familja është e paspjegueshme. Unë e vizitoj një herë ose dy herë. Kur ka ardhë xhirimi, kam qenë në orar të punës. Jemi nisë për Pejë. Nënën e kam tërheqë menjëherë prej aty. Shpresoj që drejtësia ta vendos këtë çështje. I lus institucionet gjegjëse që të merren seriozisht. Të ndodh diçka e tillë, në një vend ku paguajmë 600 euro për një muaj, ky është fundi i botës”, tha ajo në RTV Dukagjini.
E bija madje zbuloi se para katër ditësh në vizitën e saj të përhershme te e ëma ka vërjetur shenja dhune në faqen e nënës por nuk e ka besuar se këtë mund ta kishin bërë punonjëset e qendrës.
Kujtojmë se dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi dhunuan të moshuarën, teksa Remize Kuqi ka filmuar. Ato kanë përfunduar në pranga të Policisë dhe janë pezulluar, bashkë me një punëtore tjetër, identiteti i të cilës nuk dihet. Gruaja që u dhuna nga infermierja e qendrës është nëna e një ushtari të UÇK që ka dhënë jetën në luftën me Serbinë. Ajo është nëna e Taulant Reshat Nura, dëshmori që ra në Betejën e Qabratit.