Presidenti Joe Biden dhe ish-Presidenti Donald Trump zhvilluan tubimet e tyre ndërsa fushata për zgjedhjet për të riformuar Kongresin hyri në ditën e fundit.
Biden dhe Trump bënë thirrjet e tyre të minutës së fundit për votuesit në Nju Jork dhe Florida, ku kishin caktuar mitingjet e fundit.
Republikanët po përpiqen t’i largojnë të dyja dhomat nga kontrolli demokrat.
Ata janë favoritë për të fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por Senati është një sfidë, sipas sondazheve deri më tani, shkruan BBC.
Fitorja e një dhome nga republikanët do të pengonte axhendën legjislative të Presidentit Biden.
Me fushatën në ditën e saj të fundit të hënën, partia e Biden po përgatitet për humbje edhe në pjesë të vendit ku demokratët zakonisht kanë rezultuar mirë.
Në tubimin në Nju Jork të dielën Biden ishte për të mbështetur guvernatoren Kathy Hochul, e cila po i shmanget një sfide të papritur të ashpër me kandidatin republikan të mbështetur nga Trump, Lee Zeldin.
Ajo ka marrë ndihmë në minutën e fundit nga disa emra të yjeve demokratë – ish-Presidenti Bill Clinton, Zëvendës-Presidentja Kamala Harris dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.
Në fjalimin e tij, Biden i quajti zgjedhjet “një pikë kthese” që do të përcaktojnë 20 vitet e ardhshme.
Ai u tha votuesve në Kolegjin Sarah Lawrence se ata po zgjedhin midis dy “vizioneve thelbësisht të ndryshme të Amerikës”.
Ndërkohë, paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump, ishte në Miami, ku foli për më shumë se një orë, duke akuzuar demokratët se po e çojnë vendin drejt “komunizmit”.
“Demokratët duan ta kthejnë Amerikën në Kubë komuniste ose në Venezuelë socialiste”, i tha Trump audiencës.
Trump gjithashtu edhe nje here la të kuptohet se ai mund të kandidojë përsëri për president në vitin 2024, duke u thënë votuesve të “qëndrojnë të sintonizuar” për tubimin e tij të hënën në Ohio.
Sondazhet sugjerojnë se demokratët ka të ngjarë të humbasin shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve.
Kontrolli i Senatit ndoshta do të mbështetet në rezultatet e garave jashtëzakonisht të ngushta në Pensilvani, Gjeorgji dhe Nevada./BBC
***
Florida për vite me radhë ka lëvizur nga partia në parti, por kohët e fundit po anon drejt republikanëve. Shteti nuk konsiderohet fushëbeteje për këto zgjedhje.
Sipas këshilltarëve tubimet e shpeshta të ish-presidentit Trump i kanë shërbyer atij për të siguruar vëmendje teksa planifikon të nisë një garë të tretë për Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve të 8 nëntorit. Florida në veçanti, mund të shërbejë si një fushëbeteje e rëndësishme në çdo garë për t’u kandiduar zyrtarisht nga partia për Shtëpinë e Bardhë dhe guvernatori republikan i Floridës Ron DeSantis, shihet si një nga pretendentët e fortë për t’u kandiduar, nëse ai vendos ta bëjë një gjë të tillë.
Parashikimet dhe sondazhet jopartiake mbi zgjedhjet tregojnë se republikanët janë favoritët më të mëdhenj për të fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa flitet për një garë kokë më kokë për Senatin. Kontrolli qoftë dhe i njërës prej këtyre dhomave të Kongresit do t’u jepte republikanëve fuqinë për të bllokuar axhendën legjislative të zotit Biden dhe për të nisur hetime potencialisht të dëmshme ndaj tij.
Në disfavor të demokratëve është edhe rënia e popullaritetit të presidentit Biden. Sipas një sondazhi të fundit të agjencisë ‘Reuters’ dhe kompanisë ‘Ipsos’ vetëm 40% e amerikanëve e mbështesin atë për punën që po kryen në Shtëpinë e Bardhë, gjë që ka bërë që zoti Biden të shmangë pjesëmarrjen në fushata elektorale në disa shtete fushëbeteje, shkruan Zeri i Amerikes.