MENU
klinika

Publikimet e autorëve bashkëkohorë

“Ditët e librit arbëresh”

21.11.2022 - 14:42

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët do të nisë sot në ora 9:00, në sallën “Europa” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Tiranë veprimtarinë “Ditët e librit arbëresh”, e cila do të zgjasë tre ditë radhazi dhe do të dritësojë aspekte të panjohura të prodhimtarisë studimore, letrare e artistike të autorëve bashkëkohorë të komuniteteve arbëreshe në Itali.

Për herë të parë, protagonistë kryesorë të veprimtarisë do të jenë vetë arbëreshët (studiues, shkrimtarë e artistë), të cilëve do t’u lihet tërësisht “skena” akademike për ta prezantuar punën e tyre në vendin amë. Janë 15 personalitete të kulturës bashkëkohore arbëreshe nga Kalabria e Sicilia, që përmes ligjëratave të tyre, do të shpalosin disa prej veprave më përfaqësuese të sferës shpirtërore arbëreshe.

Ditën e djeshme, kanë mbërritur në Tiranë grupi i arbëreshëve që do të jenë pjesë e veprimtarisë “Ditët e Librit Arbëresh”. Në përbërje të këtij grupi janë 15 emra të spikatur të kulturës bashkëkohore arbëreshe nga Kalabria e Sicilia, të cilët kanë janë të njohur për kontributin e tyre në fushën e studimeve, krijimtarisë artistike e publicistike, si dhe për veprimtarinë patriotike për ruajtjen dhe përçimin e kulturës arbëreshe. Ata vijnë për të prezantuar në vendin amë jo thjesht punën e tyre, por edhe disa nga arritjet kryesore të letërsisë, studimeve dhe kulturës arbëreshe në ditët e sotme.

Vizitën e parë zyrtare e kanë zhvilluar në institucionin organizator të kuvendit “Ditët e Librit Arbëresh”, pikërisht Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), ku janë mikpritur nga drejtoresha ekzekutive e kësaj Qendre, prof. Diana Kastrati, si dhe nga një pjesë e stafit të QSPA-së.

Pas një bisede miqësore, ata janë njohur me veprimtarinë e deritanishme të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), si dhe me detajet organizative të “Ditëve të Librit Arbëresh”.

Më pas, në emër të grupit arbëresh, presidenti i FAA (Federazione Associazioni Arbëreshë), Damiano Guagliardi ka paraqitur shkurtimisht disa nga hapat e ndërmarrë nga FAA për fushatën e dhurimit të librave dhe materialeve arkivore arbëreshe për QSPA-në. Ata kanë arritur të grumbullojnë 500 libra të dekadave të fundit, të cilët do të jenë pjesë e një ekspozite të veçantë nesër dhe më pas, një kontingjent i madh do t’i dhurohet QSPA-së.

Arbëreshët kanë shfaqur entuziazmin e tyre të madh për këtë organizim nga ana e QSPA-së, ku për herë të parë i jepen një hapësirë e tillë promovimi në vendin e të parëve, të cilin e konsiderojnë shtëpinë e tyre të vërtetë.

Në fund të takimin, grupi i arbëreshëve së bashku me stafin e QSPA-së janë zhvendosur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për të përgatitur mjediset për ekspozitën e librave dhe të fotove.

Kuvendit do t’i paraprijnë tre ekspozita: e para, me 500 libra të dekadave të fundit të sjella nga vetë arbëreshët, ku pjesa më e madhe do t’i dhurohen bibliotekës së QSPA-së; e dyta, me fotografi mbi jetën e gruas arbëreshe dhe e treta me krijime, piktura të bëra nga një artiste e re arbëreshe, mbi Danten e udhëtimin e tij.