Ndryshe nga herët e tjera, protesta nga banorët e Bërxullës ka qenë edhe me përplasje me efektivët e policisë.
Ata thonë se kompania Gener2 që ka fituar projektin me koncesion për 35 vite, në kundërshtim me ligjin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi. Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet.
Një banorë dëgjohet të ketë thënë: Do digjem me benzinë, mos më prek!
Duke u përplasur me policinë, banorët të revoltuar dëgjohen duke reaguar ashpër ndaj policëve.
“Nuk kemi asnjë lloj kundërshtimi për projektin, por të paktën të marrim të drejtën tonë. Projekti është devijuar shumë herë. Mos e shisni veten për 50 mijë lekë o burrë i dheut. Mua nuk më kanë vënë në dijeni se ku kalon projekti. Asnjë dokument i protokolluar nuk ka ardhur”, tha njëri prej banorëve.
Ai shtoi se do të mbrojë të drejtën e vet pasi kanë punuar prej vitesh në kurbet dhe nuk mund të qëndrojë duarkryq para padrejtësive.
“Do të bëhet më madhe kjo, dihet ai muhabet. Duhet të mbrojmë të drejtën tonë, kam punuar 15 vjet në kurbet dhe të prishet për një orë”, shtojnë ata.
Kjo situatë u shoqërua me tensione dhe konfrontime fizike mes banorëve dhe Policisë. Kjo e fundit është vendosur aty për të penguar qytetarët, ndërsa iu kërkojnë të mos bllokojnë rrugën dhe punimet.
“Po na soset durimi. Hajdeni uluni me ne. Më vjen keq për ju, që ju përdorin në protesta të tilla. Pse e mbështesni një të paligjshëm”, theksoi një protestues tjetër.