Investimi në Portin e Durrësit nga investitori Mohamed Alabbar ishte temë debati e diskutimesh këtë të hënë në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.
Deputetët po shqyrtojnë dhe do të votojnë projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”;
Deputetët e PD kanë ngritur pikëpyetje ndaj zv ministrit të Financave në komision, Besart Kadia dhe kanë akuzuar qeverinë për mungesë transparence ndaj qytetarëve me këtë projekt.
“Mënyra si është proceduar lë shije të keqe, e thënë ndryshe kësaj pune i vjen era”, tha deputeti Lefter Gështenja.
Ndërsa deputeti Xhelal Mziu teksa kujtoi një foto të investitorin me aleatin e Putinit në Bjellorusi, ngriti pyetjen “Pse t’i japim investim kaq të madh një personi me prapavijë rublën në pikën më strategjike të Shqipërisë?”.
Kreu i Komisionit, Arben Pëllumbi nga ana tjetër kërkoi që kur të flitej për investitorin të referohej “zoti Alabbar”, ndërsa tha se ‘fakti me cilën kompani vjen të financojë një projekt në Shqipëri është e drejta e tij’.
Pjesë nga diskutimet:
Xhelal Mziu: Nuk kemi pasur as konkurencë. Sa është kostoja reale e cmontimit dhe transportit të këtij porti për të shkuar diku tjetër. A e justifkon këtë lloj përfitimi që kemi deri më sot? Ne do e marrim përmes dividentit e kompanitë e shpërndajnë kur mbaron investimi, kur do e marrim ne këtë divident?
Alabbar me shumë bujë po i bëni jehonë si një person që do sjellë risi por në Kroaci e Serbi jo vetëm që nuk ka mbaruar por po zgjatet tej afateve që ishin vënë.
Alabbar është dhe investitor në Bjellorusi, është në foto me aleatin më kryesor të Putinit. Pse t’i japim investim kaq të madh një personi me prapavijë rublën në pikën më strategjike të Shqipërisë?
Besart Kadia: Pse mbrohet investitori Alabbar. U futa në mediat ndërkombëtare për të kërkuar emrin e Alabbar për të parë nëse rublat kanë dalë përvec jehonës lokale, janë apo jo dhe në atë ndërkombëtare. Profili i Alabbar e kompanive të tij është me rëndësi në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjet me SHBA. Investimet e tij janë në SHBA.
Sa i përket marrëveshjes në Serbi është marrë tokë e degraduar jo urbane, pra investimi vijon e është realizuar kur të shkoni hidhini një sy pse ka këtë risi.
Të gjithë ndërtuesit vendas kanë aftësitë e tyre por në rast se do kishin këtë vizion do e kishin që në fillim te AIDA si ka bërë dhe Alabbar. Fakti që se’ kanë bërë tregon se nuk kanë qenë në vizionin e mundësitë e tyre. Bizneset vendase nuk e kanë zhvilluar si mundësi apo nuk e kanë pasur si vizion.
Porti i Durrësit do zhvendosej më në veri dhe nuk lidhej me projektin. Shteti fiton në përjetësi nga ky investim me këtë marrëveshje.
Pikëpyetje për investitorin mos kemi, të paktën të sjellim prova përvec fotove.
Dividenti shpërndahet kur të ketë aktivitet ekonomik. Deri në 7 vite porti nuk do preket në aktivitetin e tij portual.
Arben Pëllumbi: Një sygjerim, fakti që jemi deputetë duhet të na shtyjë të kemi respekt. Ai nuk është Alabbar ai është zoti Alabbar një figurë tepër e nderuar, themelues i Emaar, kryetari i bordit të Emaar është mendja e tij që transformoi atë qytet. Një njeri që arrin të sigurojë 2 miliardë të ardhura në vit personale, i lind nevoja të formojë një grup kompanish.
Emarr është në bursë. Fakti me cilën kompani vjen të financojë një projekt në Shqipëri është e drejta e tij. Ju lutem sugjerimi të mos flasim me konotacione sikur ca po ndodh. Alabbar është një nga figurat më të rëndësishme të tregut të real estate në botë.
Lefter Gështenja: Ajo që ne kemi rezerva, është mënyra si procedon kjo mazhorancë në investime kaq madhore. Nëse 2.1 mld ëshë velra më e madhe e investuar në këto 30 vjet në Shqipëri duke qenë hera e parë do thosha që ky pr ligj s’ka asnjë arsye të bëhet me procedurë të përshpejtuar por shqiptarët s’kanë prona për të humbur ndaj duhet ta marrim pak më shtruar.
Ekspertë të qeverisë, flitet me superlativa, kush nga këta ekspertë ka pasur mundësi të negociojë kontrata të tilla më parë në CV e tij?
Mënyra si është proceduar lë shije të keqe, e thënë ndryshe kësaj pune i vjen era se ka nisur me zoti Muhamed e po përfundon me zotin Ramazan.
Shqiptarët kërkojnë transparencë, tani që erdhi marrëveshja në parmanent po marrin vesh cfarë po ndodh, 1 vit që negocion qeveria, a ka transparencë? Në materialet e ardhura për deputetët pas nkë presioni të madh në Parlament janë përsëeri të paplota. Ju thoni ka projekt unë them nuk ka projekt.