MENU
klinika

Rishikimi i skemës për biznesin e madh

Fasha 800 Kwh nuk do të aplikohet as në nëntor

09.11.2022 - 09:54

Rritja e çmimit të energjisë nuk do të aplikohet as për muajin nëntor. Pritshmëritë për reshje shiu që do të përmirësonin nivelin në kaskadën e Drinit, nuk u përmbushën, por pavarësisht kësaj, qeveria është zmbrapsur nga vendimi me argumentin që ka rënie të konsumimit, si edhe rënie të çmimeve të importit.

VENDIMI
Tërheqja për të dytën herë, duke nxjerrë në mënyrë të përsëritur jashtë loje Entin Rregullator të Energjisë, nuk ishte dhe aq surprizë. Në kushtet e një proteste të paralajmëruar nga opozita në 12 nëntor, shtrenjtimi i dritave do të ishte një arsye më shumë për të nxjerrë qytetarët në shesh në shenjë revolte dhe pakënaqësie. Ndaj është parë e udhës shtyrja e vendimit së paku dhe për muajin nëntor.

Ky argument përforcohet edhe më tej nga deklaratat e bëra nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Kështu, pasi ERE njoftoi aplikimin e fashës 800 kilovatë, duke filluar nga data 1 nëntor, ministrja Balluku reagoi duke thënë se vendimi final do të merrej pas javës së parë të muajit kushtëzuar nga reshjet e shiut.

Por, duke qenë se moti nuk ishte favorizues, për një qeveri që sytë i ka kthyer nga qielli, atëherë gjasat ishin që fasha të bëhej fakt i kryer, gjë që nuk ndodhi. Për t’i dhënë peshën që duhet vendimit, u përdor argumenti i rënies së konsumit dhe rënia e çmimit të importit, fakte të njohura këto që në fillim të muajit të cilat qartazi lënë të kuptohet se zmbrapsja nuk ishte as për shkak të rënies së konsumit, as për çmimet e importit dhe aq më pak të reshjeve të shiut.

“Shqipëria është një vend që nuk arrin të prodhojë të gjithë energjinë elektrike të nevojshme për tregun. Në vitet më të mira hidrike ne prodhojmë vetëm 75% të kësaj nevoje, ndërkohë që në vite të thata si ky që po kalojmë tashmë dhe që është viti i tretë konsekutiv pa reshje, sigurisht që Shqipëria po prodhon në mënyrë minimale nga kaskada e Drinit.

Për këtë arsye, na është dashur që t’i drejtohemi importeve, por këto importe siç të gjithë tashmë e dinë, kanë çmime të papërballueshme për të gjithë shtetet në këto momente dhe sigurisht për qytetarët.

Megjithatë, në kushtet e një krize të krijuar prej luftës së Rusisë, agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës ne kemi marrë një vendim të guximshëm, vendimin për të mbrojtur 100% abonentët tanë me një mburojë sociale energjetike dhe jo vetëm abonentët familjarë, por edhe abonentët e bizneseve të vogla”, tha Balluku. Në përfundim të muajit tetor, shtoi ministrja, të gjitha shifrat tregojnë se konsumi i energjisë krahasuar me një vit më parë është 7% më pak.

“Veç kësaj, politikat rregullatorë të Bashkimit Europian, sa i përket situatës së energjisë elektrike dhe të tregjeve të gazit kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e çmimit të importeve për energjinë elektrike. Duke u bazuar mbi të gjithë faktorët që përmenda, qeveria shqiptare ka vendosur të mos aplikojë fashën 800 kilovatorë për abonentët familjarë gjatë muajit nëntor. Kjo është një kohë për solidaritet”.

BIZNESI MADH
Ministrja tha po ashtu se do të rishikohet skema edhe për biznesin e madh, që prej një viti siguron energjinë në treg të lirë.

“Jemi duke analizuar sesi mund të mbrojmë në të ardhmen edhe ato biznese që tashmë ndodhen si klientë të tregut të lirë dhe kanë prej më shumë se dy vjetësh që i drejtohen këtij tregu të lirë për të siguruar sasitë energjetike. Ditët e fundit madje kemi pasur një rast konkret ku një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit në Shqipëri e ka pasur të pamundur, jo vetëm për shkak të çmimit, por për shkak të sasive që të siguronte sasinë e duhur për ta mbajtur ndërmarrjen në punë. Kështu që ne kemi filluar ti adresojmë këto raste një pas një dhe padyshim do të japim një zgjidhje edhe për këtë grup të biznesit mjaft të rëndësishëm në kontributin e tij në ekonominë shqiptare”, tha Balluku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vendimi i ERE-s për shtrenjtimin e energjisë elektrike

Sa familje do të preken nga tarifat e reja?

Dimri i vështirë për shqiptarët

Energjia, mes kursimit dhe shtrëngimit

Në pritje të rivendosjes së fashës 800 kWh

Nga Fierza s’ka lajme të mira! Bie niveli i ujit