MENU
klinika

Botërori 2022, Grupi D

Franca, e para që kalon grupin pas 2 ndeshjeve

26.11.2022 - 19:59

Franca është skuadra e parë që kalon grupin pas dy ndeshjeve. Pas fitores 4-1 ndaj Australisë, kampionët e botës mposhtën 2-1 Danimarkën dhe kualifikohen në fazën e 1/6 finale të Katar 2022.

Francezët mund të kishin kaluar në avantazh në minutën e 19-të me Mbappe, por u ndal me një faull nga Christensen në momentin që do të dilte i vetëm përballë Schmeichel. Portieri i danezëve u bë protagonist në minutën e 21-të duke shmangur një gol pas goditjes me kokë të Rabiot.

Një tjetër moment për Francën erdhi në minutën e 30-të me Kounde. Rasti më i rrezikshëm për danezët ishte në 36-n me Cornelius, por gjuajtja e tij shkoi jashtë kuadratit.

Edhe pjesa e dytë nuk e humbi ritmin. Pas një rasti të Mbappe dhe Griezmann, vjen edhe goli. Mbappe insiston në krahun e majtë, kombinon me Teo Hernandez, ky i fundit ia kthen sërish dhe ylli i Francës nuk fal për 1-0 në minutën e 61-të.

Por pa kaluar as 7 minuta, gjatë një zhvillimi të një goditje nga këndi, Danimarka barazon shifrat në 1-1. Është Christensen i pamarkuar në zonën franceze që ndëshkon kampionët e botës pas një gjuajtje me kokë. Goli i parë i danezëve këtë Botëror. Franca rrezikon të pësojë edhe të dytin, por njëherë Lloris dhe njëherë shtylla shpëtojnë gjelat.

Kur nuk shënon, e pëson. Në 86’, Griezmann jep një kros në zonë, Mbappe me trup shtyn topin në rrjetë për 2-1. Goli i tretë për sulmuesin francez në dy ndeshje. Francezët administrojnë mirë avantazhin dhe marrin tri pikët e nevojshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN