Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka treguar pse dështuan negociatat për bashkimin e PD dhe për të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit. Bardhi tha në Abc se grupimi që ai përfaqësonte kërkoi bashkëpunim, po pala tjetër e PD, që përfaqësohej nga Edi Paloka vendosi kushte.
Sipas tij, PD e drejtuar nga Berisha ka vënë si kusht njohjen e statutit të 11 dhjetorit dhe se brenda statutit të tyre të krijoheshin hapësirat e nevojshme apo të mundshme për bashkëpunim.
“Pjesa e Grupit Parlamentar që unë përfaqësoj shtriu dorën e bashkëpunimit për të mirën e demokratëve, por pala tjetër nuk ishte e hapur për të gjetur një zgjidhje ngërçeve sa i përket zgjedhjeve lokale”,-tha Bardhi.
Ndërsa përmendi draftin e propozuar për bashkëpunim, Bardhi shtoi se pika tre e atij drafti i pranon primaret, por shton edhe sondazhet në mënyrë që veç anëtarësisë, të ketë mundësi edhe publiku të shprehë vullnetin për kandidatët.
“Kush i drejton primaret? I kam dorëzuar me shkrim propozimet e mia. Pika tre i pranon primaret, votën dhe njeh një proces të ndjekur në mënyrë konsensuale. Ata thonë të njohësh procesin tim, që e drejtoj unë, me rregulla që i caktoj unë.
Nuk kisha hyrë në bisedime për të bërë pazare. Primaret janë pranuar, ajo që kemi shtuar ka të bëjë me balancimin e opinionit të anëtarëve të partisë dhe vrojtimit të opinionit publik. Argumenti ishte qesharak, nuk kemi para për të bërë sondazhe…Nuk ramë dakord edhe për këshillin drejtues. Na thanë që do të kishim të drejtë të merrnim pjesë të marrim në primare. Për këtë nuk kishim nevojë për leje. Duhej të kishim përfaqësues në komisionet që ngriheshin. Të na akomodonin brenda statutit të tyre. Praktikisht kërkonin të njihnim statutin e tyre”, u shpreh ndër të tjera Bardhi.