MENU
klinika

Analiza

“Gjeneral Dimri” nuk është më aleat i Rusisë!

25.11.2022 - 17:02

Ai e ndihmoi dikur të mposhte Grande Armée të Napoleonit dhe Wehrmacht-in e Hitlerit.

“Gjeneral Dimri” duhej të ishte gjithmonë një mik i mirë i forcave ruse. Por këtë vit, besnikëria e tij është më pak e sigurt.

Presidenti Vladimir Putin nuk mund të mbështetet më tek aleati i vjetër i Rusisë, tani që ushtarët e Kremlinit në Ukrainë janë pushtuesit e demoralizuar, dhe që po përballen me reshjet e dëborës dhe me temperaturat që natën bien në -20 gradë Celsius apo edhe më shumë.

Ekspertët dhe analistët ushtarakë pretenduan për muaj të tërë se dimri do të sillte një ndërprerje të luftimeve përgjatë vijës së frontit në Ukrainë.

Por po bëhet gjithnjë e më e qartë se të dyja palët do të përpiqen të krijojnë avantazhet e tyre edhe në kushtet e acarta. Plani i rusëve është të demoralizojë civilët ukrainas, duke ua ndërprerë energjinë elektrike dhe ngrohjen, ndërkohë që nga ana e tyre ukrainasit synojnë të fillojnë operacionet e komandove, dhe të stërvitin artilerinë e tyre kundër ushtarëve rusë të keqpajisur, të cilëve u mungojnë pajisjet e ngrohta të dimrit dhe ushqimi i nxehtë.

Ndërsa në përgjithësi ritmi i luftimeve pritet të ngadalësohet, nuk ka pasur asnjë ndalim të përleshjeve në rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk, pavarësisht nga stuhitë e borës dhe temperaturat shumë të ulëta. “Betejat zhvillohen ditë e natë, pavarësisht kushteve të motit”- tha për POLITICO nga vija e frontit, mjeku dhe ish-deputeti ukrainas Jegor Firsov.

Russia Invades Ukraine: Lessons of Finland's Winter War Against Soviets - Bloomberg

“Tani ndodhem pranë Bakhmut. Situata këtu është shumë e ndërlikuar. Ndryshon çdo ditë duke u lëkundur si një lavjerrës, nga sukseset dhe euforia jonë kur përparojmë, te një gjendje e zymtë kur përparon armiku. Dje binte borë, dhe ne u gëzuam, sepse nuk ka asgjë më të keqe sesa shiu i ftohtë”- tha ai.

Edhe Ministria ukrainase e Mbrojtjes e ka bërë të qartë se plani është të ruajë një presion në rritje ndaj rusëve edhe gjatë dimrit.

“Ata që po flasin tani për një ‘pauzë të armiqësive’ e mundshme për shkak të temperaturave të ulëta në dimër, ka të ngjarë të mos kenë bërë banja dielli në janar në bregdetin jugor të Krimesë”- u shpreh të dielën me ironi Ministria ukrainase e Mbrojtjes e Ukrainës, duke lënë të kuptohet ambicien e Kievit për të rimarrë gadishullin e aneksuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014.

Por “Gjeneral Dimri” nuk ka qenë gjithmonë i mirë për Rusinë. Finlandezët i zmbrapsën rusët gjatë Luftës së tyre Dimërore të vitit 1940, me operacionet e shkathëta nëpër dëborë.

Ukrainasit shpresojnë që t’i shkaktojnë dëme të ngjashme.

Përgjimet e analizuara nga Ekipi i Inteligjencës së Konflikteve, një grup kërkimor, zbulojnë se si trupat e sapomobilizuara ruse po ankohen tashmë për mungesën e pajisjeve bazë – për të mos folur pastaj për pajisjet dimërore – dhe kushtet ekstreme me të cilat po përballen, duke përfshirë mungesën e ushqimit të nxehtë për ditë të tëra.

Tani për tani, aksionet po vazhdojnë në një numër frontesh. Asgjë nuk sinjalizon një dimër të qetë. Katerina Stepanenko nga Instituti për Studimin e Luftës, që ka monitoruar luftimet duke përdorur burimet konfidenciale thotë: “Rusët po rifillojnë të intensifikojnë operacionet e tyre sulmuese në jugperëndim të rajonit Donetsk. Ata po përdornin parashutistët që u tërhoqën nga Kerson.

Ukraine war: General Winter is about to arrive - Reaction

Edhe ukrainasit kanë zhvendosu forcat për të përforcuar pozicionet e tyre, thotë Nik Rejnolds i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, një institut kërkimor për sigurinë që po kryen analiza operacionale për shtabin e përgjithshëm të Ukrainës. Rejnolds shtoi se ukrainasit duan gjithashtu t’i dëbojnë rusët në bregun lindor të lumit Dnjepër, pra 15-20 kilometra më larg nga Kersoni i sapoçliruar, për t’i parandaluar bombardimet e artilerisë ruse.

Këtë javë, të dyja palët kanë shkëmbyer sulmet me artileri në të dyja anët e lumit Dnjepër, duke i nxitur autoritetet ukrainase të kërkojnë evakuimin e civilëve.

Rejnolds dyshon se rusët mund të grupojnë forcat në kufirin bjellorus në veri të Kievit, në një përpjekje të re për t’i tërhequr forcat ukrainase nga vija e frontit në jug dhe në lindje.

Një burim ukrainas i sigurisë, që kërkoi të mbetet anonim pasi nuk është i autorizuar të flasë me median, i tha POLITICO se avionët luftarakë rusë po testonin mbrojtjen ajrore të Ukrainës përgjatë kufirit me Bjellorusinë. Blogerët ushtarakë rusë thonë në Telegram, se ukrainasit po ndërtojnë më shumë pika vëzhgimi në kufi të pajisura me pajisje përgjimi elektronike, dhe po minojnë shumë zona në veri të Chernihiv.

Ndërkaq, luftimet janë shumë të ashpra rreth Svatove-Kreminna dhe Bilohorivka në Luhansk, ku ukrainasit kanë identifikuar dobësi në mbrojtjen ruse. “Në rajonin e Luhanskut, ne po përparojmë edhe pse ngadalë”- tha të dielën e kaluar presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.

Ukrainasit janë në dilemë nëse duan një dimër të ashpër apo të butë për fushatën e tyre ushtarake. Një sezon i butë do të ndihmonte në lehtësimin e vuajtjeve të popullatës civile si rrjedhojë e bombardimeve ruse ndaj rrjetit elektrik të vendit. Por kjo do të nënkuptonte gjithashtu një terren të mbushur me baltë – i njohur si bezdorizhzhia (pa rrugë) në ukrainisht dhe rasputitsa në rusisht, duke e vështirësuan shumë lëvizjen e trupave dhe pajisjeve të blinduara, si për ta ashtu edhe për rusët.

Dhe janë ukrainasit ata që duan të shfrytëzojnë epërsinë e arritur javët e fundit me fitoret e tyre mahnitëse rreth Harkiv në verilindje dhe së fundmi në Kerson në jug.

Hyrja në Kerson e ka vendosur Krimenë brenda rrezes së raketave të tyre.

Ndërkohë një dimër i ftohtë me terrenin e ngrirë nga akulli, do t’i ndihmonte të dyja palët të manovrojnë. Por acari ka të ngjarë të dëmtojë më shumë trupat ruse dhe pajisjet e tyre të dobëta. Tanket dhe autoblindat nuk mund të fshiheshin më poshtë pemëve që nuk kanë më gjethe.

Dimrin e kaluar, kur u përpoqën të përparonin drejt Kievit, rusët u penguan shumë nga defektet mekanike për shkak të cilësisë së dobët të armëve. Instituti për Studimin e Luftës, mendon se dimri ka të ngjarë të favorizojë ukrainasit. “Moti i ashpër mund të dëmtojë në mënyrë disproporcionale forcat ruse të pajisura dobët në Ukrainë”- thekson ISW.

Kohët e fundit, disa rusë nga Rostov të sapomobilizuar, postuan një video në “Telegram” duke u ankuar për mungesën e trajnimit të duhur, pajisjeve dhe ushqimit. “Ne po paguajmë nga xhepi për ushqimin”- thoshin ata. Ndër të tjera, forcat ruse thuhet se kanë filluar të marrin xhaketa dhe helmeta të prodhuara nga Irani.

Por ata nuk kanë gjasa të përputhen me cilësinë e veshjeve dhe pajisjeve që i janë dërguar Ukrainës nga aleatët perëndimorë. Ministria britanike e Mbrojtjes raportoi kohët e fundit se kishte dërguar në Ukrainë 195.000 uniforma dimërore, ndërsa shumë të tjera janë rrugës.

Edhe partnerët e tjerë perëndimorë, po i furnizojnë ukrainasit me uniforma, gjeneratorë celularë dhe tenda për të strehuar mbi 200.000 ushtarë, përfshirë Lituaninë, Gjermaninë, Danimarkën, SHBA-në, Suedinë dhe Finlandën. Vetëm Kanadaja po i siguron Ukrainës gjysmë milionë uniforma dimërore.

Në aspektin civil, ukrainasit po përpiqen ta mposhtin Gjeneral Dimrin duke u përpjekur të plotësojnë rezervat dhe rregulluar rrjetin e dëmtuar elektrik. Ata po kërkojnë mijëra gjeneratorë me naftë dhe termikë, dhe më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të parandaluar dëmtimin e shkaktuar nga rusët.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitçko po përgatit qytetin e tij për të përballur një dimër të ftohtë dhe të errët, dhe shpreson të shmangë çdo evakuim masiv. Ai po u kërkon më shumë se 3 milionë banorëve të Kievit të ruajnë mjaftueshëm ujë, ushqim dhe furnizime për dimër.

Administrata e tij po përgatit rreth 1000 qendra, ku banorët mund të shkojnë për t’u ngrohur dhe ushqyer.

Kryetari energjik i bashkisë së Lvivit, Andrij Sadovi, është i alarmuar nga shënjestrimi i një stacioni të transmetimit të energjisë elektrike pranë termocentralit bërthamor Rivne, 200 kilometra në verilindje të Lvivit.

Ai po planifikon të garantojë ngrohje për gjithë qytetin, teksa po ndërton rreth 6,000 strehimore emergjente, të pajisura me soba druri dhe gjeneratorë portativë me naftë. “Po ruajmë shumë dru zjarri dhe kemi blerë rezerva të mëdha nafte. Ne duhet të përgatitemi kur qytetit të detyrohet të jetojë pa energji elektrike”- thotë ai.

Burimi: Politico.eu