Gjykata e Beratit ka lë në burg 11 të arrestuarit që u kapën në serën me kanabis në fshatin Dronovicë.
Të arrestuarit janë Hamdi Dyli, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Blerim Xheka, Bashkim Mema, Edison Mema, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha, Samoel Lushaj, Drita Mema dhe Izmire Mema.
Më 10 nëntor në Kutalli të Beratit zbuluan një sasi prej rreth 875 kg kanabis të tharë, ndërsa u ndaluan rreth 105 persona.
Kush është familja nga Nikla në krye të aktivitetit kriminal
Roli më i rëndësishëm në organizimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë ishte i një familjeje nga fshati Nikël i Krujës, zonë nga e cila ishin punësuar edhe një pjesë e madhe e grave dhe e njohur gjithashtu për kultivimin e kanabisit ndër vite.
Bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh, vajzën dhe dhëndrin e tyre. Kjo familje dyshohet të jetë organizatorja dhe mbikëqyrësja e të gjithë aktivitetit kriminal të prodhimit dhe tregtimit të lëndës narkotike.
Gjithashtu, ata akuzohen se kanë lidhje me “kokat” e aktivitetit kriminal që dyshohet se janë dy shtetas po ashtu nga Nikla, tashmë të identifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen ende publikë për shkak të hetimit, deri në arrestimin e tyre. Midis 11 të arrestuarve janë edhe nënë e bijë, Drita dhe Izmira Mema krahas bashkëshortëve të tyre. Ato kontraktonin gratë nga zonat e Fushë-Krujës, duke iu thënë se do të vilnin ullinj dhe më pas duke përdorur edhe kërcënime i përfshinin në procesin e përpunimit të bimëve.
Mes të arrestuarve është edhe pronari i serës, Hamdi Dyli (i njohur në fshat si Xhimi Dyli). Ai ka dëshmuar para uniformave blu se serën e kishte lënë me qira dhe nuk ishte në dijeni të aktivitetit që kryhej brenda saj, por u arrestua nga policia brenda ambienteve të serës. Ndërkohë, në pyetje janë marrë 106 të shoqëruar që u kapën nga policia brenda dhe jashtë serave të kanabisit. Për përpunimin e bimës, ishin punësuar rreth 95 gra nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht nga zonat periferike të Tiranës dhe FushëKrujës.
Ato mësohet të kenë deklaruar se ishin kontaktuar për të vjelë ullinj dhe se paguheshin rreth 50 mijë lekë të vjetra në ditë.
“Në ambientet e brendshme të serave janë gjetur disa shtetase, nga zonat periferike të Tiranës, të cilat kryenin përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike kanabis.
Këto shtetase janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e rolit të secilës prej tyre në këtë veprimtari kriminale”, sqaroi Policia.