Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Krujës, pasi akuzohet për grabitje me armë të në banese. Ngjarja është regjistruar në fshatin Brret në një banesë, e cila ishte e pabanuar në momentin e vjedhjes.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje, në fshatin Brret, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Brreti’, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve Kastriot Guri, 38 vjeç dhe Xhoni Guri, 22 vjeç, të dy banues në Laç. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke kanosur me arme zjarri (pushkë gjysmë-automatike), kanë vjedhur në Brret, Krujë, në banesën e një 40-vjeçari. Gjatë këtij operacioni, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit (pushkë gjysmë-automatike), municion luftarak dhe sendet e vjedhura në banesën e 40-vjeçarit”, sqaroi Policia.
Nga hetimet, ka rezultuar se organizator i grabitjes është shtetasit Kastriot Guri, i cili ka hyrë i maskuar në banesë për të shmangur kështu identifikimin nga kamerat e sigurisë. Pasi kanë grabitur ushqime, orendi shtëpiake dhe materiale ndërtimi, dyshja e grabitëse, përkatësisht xhaxhai me nipi, janë kujdesur të thyejnë kamerat e sigurisë, por kanë harruar që pamjet janë të regjistruara në DVR.
Pajisjen me regjistrimin e pamjeve e kanë fshehur jo shumë larg banesës. Përpjekja e tyre për të fshehur gjurmët pasi janë larguar në këmbë përmes bimësisë, ka dështuar. Gjetja e kësaj pajisjeje u ka shërbyer hetuesve për të identifikuar dy autorët që kishin shkuar në vendin e ngjarjes të armatosur pavarësisht se e dinin se në banesë nuk kishte persona. Mësohet se Kastriot Guri dhe nipi i tij Xhoni, kishin njohje me pronarët e banesës, e cila është grabitur edhe tri herë të tjera.
Policia dyshon se janë dy të arrestuarit autorë të vjedhjeve të mëparshme. Gjatë kontrolleve, Policia ka gjetur në shtëpitë e tyre një pjesë të sendeve të vjedhura në banesën e të njohurit të tyre në fshatin Brret. Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, vijon puna për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve që dyshohet se janë kryer nga këta 2 shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim.