MENU
klinika

Botërori 2022, Grupi A

Holanda ngec në të dytën, por nuk ka dramë

25.11.2022 - 20:01

Ndalet edhe një tjetër ekip pretendent, ndonëse pa shumë dramë. Është Holanda që nuk shkon më shumë se një barazim 1-1 përballë Ekuadorit. Një ndeshje jo e mirë e tulipanëve, të cilët rrezikuan edhe ta humbnin sfidën.

Ndeshja nisi shumë mirë për Holandën. Gakpo shënon një supergol dhe i jep avantazhin ekipit që në minutën e gjashtë. Sulmuesi lëshoi një goditje fantastike nga distanca, duke gjetur golin e dytë në po kaq ndeshje në Katar 2022.

U duk se do të ishte një ndeshje e lehtë për tulipanët, por në fakt ndodhi krejt e kundërta. Ekuadori shtoi presion dhe në fundin e pjesës së parë arrin të gjejë golin e barazimit. Por fati është me portokallinjtë, pasi një lojtar qëndron para portierit dhe ka pozicion jashtë loje.

Në të dytën është i njëjti skenar, amerikano latinët nuk ulin ritmin dhe shpërblehen menjëherë me anë të Valencias, i cili përfiton që topi ngecet në zonë pas pritjes së portierit holandez. Goli i tretë për sulmuesin e Ekuadorit në këtë Botëror.

Kur pritej reagimi i Holandës, ndodh e kundërta. Janë ekuadorianët që luajnë më mirë, madje godasin edhe shtyllën, por gjithsesi, mbyllet 1-1, me dy ekipet që ndajnë nga një pikë dhe kryesojnë së bashku Grupin A me 4 pikë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN