Gara e Çmimit të Madh të Brazilit në Formula 1, e planifikuar për t’u zhvilluar më 13 nëntor, është në dyshim. Shkak është pasiguria në Brazil, si pasojë e protestave të shumta që po ndodhin në vendin amerikano-latin.
Gara do të zhvillohet të dielën në pistën legjendare të Interlagos, ku një ditë më herët do të organizohet edhe gara sprint. Problemet e rendit publik janë të shumta në Brazil dhe po ndodhin thuajse në çdo cep të këtij shteti.
Protestat kanë ardhur pas zgjedhjeve të së dielës së fundit, ku fitoi kandidati i Partisë së Punës. Presidenti i Brazilit ende nuk e ka pranuar humbjen, ndaj dhe mbështetësit e tij kanë nisur protesta të dhunshme në mjaft qytete.
Deri më tani numërohen mbi 200 bllokime të rrugëve, përfshi edhe disa rrugë që të çojnë në aeroportin e San Paolo, qytet ku zhvillohet gara e Formula 1.
Sipas mediave vendase, një kampion që po transportonte pjesë të pistës së Interlagos është bllokuar me orë të tëra para se të mbërrinte në destinacion. Pra, siguria është në rrezik dhe kjo mund të ndikojë në skuadrat që do të mbërrijnë në Brazil javën e ardhshme.