Botërori 2022 nisi me risi që në ndeshjen e parë mes ekipit vendas Katar dhe Ekuadorit, me miqtë që fituan 0-2, duke marrë tri pikët e para në grup. Mjaftuan 3 minuta që takimit të zhbllokohej, me ekuadorianë që realizuan me Valencian.
Gjithsesi, goli u anulua për jashtë, vendim ky i marrë nga arbitri Orsato pasi komunikoi me VAR. Hera e parë që aplikohet në Botëror. Por gjithsesi goli nuk do të vononte. Ekipi mik fitoi penallti në minutën e 15-të, 11-metërsh që u shndërrua në gol nga kapiteni Valencia. Po ky futbollist, realizoi të dytin në minutën e 31-të pas një gjuajtje të bukur me kokë.
Kaq mjaftoi në pjesën e parë, me vendasin që nuk goditën asnjëherë kuadratin e portës. Katari nuk arriti të reagojë as në pjesën e dytë, teksa ishte Ekuadori që sërish luajti më mirë. Mbyllet 0-2, me amerikano latinët që marrin vendin e parë në Grupin A, me ndeshjen tjetër që luhet nesër mes Holandës dhe Senegalit.