MENU
klinika

Gazetari, Artan Hoxha

Katër personazhet e shumëkërkuar që Shqipëria nuk i ka ekstraduar dot

02.11.2022 - 19:17

Gazetari Artan Hoxha e konsideron të vështirë arritjen e një marrëveshje ekstradimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara. Sipas tij, edhe shtete shumë më të fuqishme se ne si Italia, Belgjika apo Franca e kanë pasur thuajse të pamundur të ekstradojnë shtetasit që kanë probleme me drejtësinë.

Në një intervistë për “Abc News”, Hoxha zbuloi 4 prej emrave që Shqipëria nuk ka mundur dot t’i ekstradojë, pavarësisht se ndaj tyre ka dosje penale.

Hoxha tha se Shqipëria dështoi të ekstradonte Eldi Dizdarin, Florenc Çapjan, Plarent Dervishajn si dhe “Kelin e Kombinatit”.

Hoxha: Unë kam parë në Dubai “katalogun me ngjyra” të policisë kriminale apo dhe të Prokurorisë. Ato personazhe, që edhe këtu e kanë bardhë e zi. Personazhe që ne nuk i njohim për fytyrë. Siç është rasti i Ervis Martinajt që del ndonjë foto tani dhe çuditen se ajo është foto e vjetër, para 5 vitesh. Ai dilte shpesh nëpër qytet, por asnjë nuk guxonte t’i publikonte pamjet. Nuk kanë ndryshuar asgjë.

Aty janë ata që ne i njohim, ata që ne flasim, që i kemi shpallur në kërkim, që klanë dalë nga burgjet. Ata të tjerët që nuk i njohim dhe as nuk është folur ndonjëherë për ta dhe që sot ata luajnë fijet e vërteta e asaj që ndodhin në Shqipëri.

Do të ekspozohen ata dashur padashur. Po flas vetëm për rastin e ekstradimeve. Kur dëgjoj në Parlamentin shqiptar që kërkohet të lidhet një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara, më vjen për të qeshur. Nuk e kanë bërë dot shtete të fuqishme, nuk kanë marrë dot. Belgjika, Holanda kanë tentuar pafuind, nuk kanë marrë askënd.

Vijmë tek shqiptarët që gjenden në Dubai dhe dihen botërisht. Shqipëria ka tentuar deri më tani të ekstradojë nga Dubai, të parin Eldi Dizdarin. Nuk ka mundur ta ekstradojë as Shqipëria dhe as Italia, as antimafia e Firences që e ka patur nën hetim. Nuk ka arritur dot ta ekstradojë, është arrestuar nga policia e Emirateve të Bashkuara, por nuk është ekstraduar. Në Itali, çështja e tij është pushuar. Eldi Dizdari akuzohet si një nga kokat drejtuese të kartelit të parë shqiptar, është i padënuar. Ka rezultuar se në Itali nuk ka kryer asnjë vepër kriminale.

Personi i dytë që është tentuar të ekstradohet nga Emiratet e Bashkuara, është Plarent Dervishaj. Ai është ndaluar në aeroportin privat në Dubai. Ka qenë duke lëvizur me charter pasi nuk ka pasur linjë direkte për shkak të koronavirusit nga Emiratet drejt Turqisë. Ai kishte prenotuar një charter, linja ishte vendosur të kalonte nga Dubai në Kuvajt, dhe nga aty do të fluturonte në drejtim të Stambollit. Për fatin e tij, nëse do kishte hyrë në territorin turk, do të ishte arrestuar dhe do ishte ekstraduar drejt Shqipërisë. Dervishaj ka shkuar në aeroport, ishte përgatitur për të fluturuar, ka marrë lejen e fluturimit dhe në moment, oficeri i kufirit ka vënë në dijeni se në adres të tij ka një urdhër kërkimi. Ky njoftim ishte dhënë nga autoritetet turke. Autoritetet e emirateve ndaluan Plarent Dervishajn. Është çuar në stacionin policor, ka qendruar 40 ditë derisa erdhi dosja e tij nga Shqipëria. Dosja është dhe në SPAK, dosja e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames. Plarent Dervishaj jetonte i lirë në Emiratet e Bashkuara.

Personi i tretë që është tentuar të ekstradohet nga Dubai është Florenc Çapja. Është ndaluar nga policia për shkak të operacionit në Shqipëri ku u arrestua Ardian Çapja. Florenci është ndaluar, është mbajtur në burg, i është nënshtruar procesit të ekstradimit dhe në fund autoritetet e Emirateve e kanë liruar dhe e kanë çuar në detyrimn paraqitje. Florenc Çapja ndodhej i lirë dhe nuk është ekstraduar.

Personi i katërt që ishte tentuar të ekstradohej që andej, ishte “Keli i Kombinatit”. Ishte ndaluar dy herë për edhe për llogari të Shqipërisë dhe Belgjikës. Emiratet e Bashkuara e kanë ndaluar, kanë parë dosjen dhe më pas e kanë lënë të lirë dhe nuk kanë lejuar ekstradimin. Ne kemi dështuar 4 herë për të ekstraduar këta persona që janë në kërkim ndërkombëtar. Jo vetëm ne, por edhe Italia, edhe Belgjika. Kanë dështuar edhe vende më të forta se ne. Nuk kemi mundësi t’i ekstradojmë, ndaj Dubai është kthyer në një parajsë.

Shuma e parave që është investuar nga grupet kriminale shqiptare në Dubai, është e frikshme. Flitet për qindra milionë dollarë. Pashë investime shumë serioze. Jo vetëm biznese të thjeshta, por biznese të qëndrueshme në ndërtim, shtije të produkteve dhe agjencive imobilare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN