MENU
klinika

Absurditeti në kohë krize

KESH blen energji më shtrenjtë dhe shet më lirë!

22.11.2022 - 10:33

Tejmbushja dhe shkarkimet në Kaskadën e Drinit nuk janë një lajm i ri, siç nuk mund të quhet e tillë dhe përgjigjja e autoriteteve ndaj situatës së krijuar.

Reshjet intensive të shiut që mbizotëruan në fundjavë dhe përgjatë ditës së hënë e kanë gjetur qeverinë të papërgatitur, edhe pse kemi të bëjmë me një skenar të ngjashëm prej vitesh. Po ashtu, mungesa e një zgjidhjeve në kulmin e krizës energjetike është një tjetër tregues papërgjegjshmërie. Vetëm dy ditë më parë është shkarkuar 30 për qind e sasisë ujore në pamundësi për ta shfrytëzuar, ndërsa është kërkuar të eksportohet një sasi prej 19 200 Mwh energji elektrike. Por nga kjo sasi është shitur vetëm 8040 Mwh, pra më pak se gjysma, me një çmim gati tri herë më të ulët se çmimi në bursë.

KESH
Njoftimi është bërë dje nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Shitja, sipas këtij institucioni, është realizuar në tri lote, ndërsa çmimet kanë variuar nga 73 euro për MWh deri në 101 euro për MWh. Çmime këto dyfish më të ulëta në raport me c çmimet e importit, të cilat janë luhatur nga 180 deri në 228 euro për megavator, dhe në të njëjtën kohë gati 3 herë më të ulëta nëse do ta krahasonim me çmimet në bursën hungareze të cilës Qeveria i referohet kur blen energji. (Çmimi dje në bursë ka kulmuar në 313 euro për MWh). Një tjetër fakt absurd është edhe importi i energjisë, i cili ka vijuar deri në 20 nëntor. Në 4 procedura tenderimi që janë zhvilluar për rreth 42 mijë MWh janë shpenzuar 31 milionë dollarë.

DËSHTIMI ME MENAXHIMIN
Qeveria është justifikuar duke thënë se importet kanë vijuar për shkak se pritshmëritë për reshje kanë qenë të ulëta dhe rrezikohej që të mbeteshim pa energji. Por kjo nxjerr në pah edhe dështimin e radhës. Vetëm pak muaj më parë Korporata Elektroenergjitike Shqiptare realizoi një procedurë tenderimi me vlerë 1.5 milionë euro për një sistem special satelitor, që do të parashikonte me saktësi motin dhe sasinë e reshjeve në kaskadë.

Por autoritet nuk ishin në gjendje jo vetëm të paraprinin situatën, por shkuan edhe më tej duke shkarkuar 30 për qind të sasisë së prurjeve ujore, duke vënë në rrezik për pasojë jetën e mijëra familjeve në zonën e Shkodrës si pasojë e përmbytjeve. Aspekti tjetër ka të bëjë me shfrytëzimin e sasisë ujore për rezervë energjetike për t’u shkëputur nga varësia e importit. Vetëm përgjatë këtij viti janë më shumë se 400 milionë dollarë që kanë shkuar për të blerë energji në tregjet ndërkombëtare, ku një megavator në periudhën e verës arriti në vlerën rekord të 1040 eurove.

Qeveria dështoi në zbatimin e projektit për depozitimin e energjisë dhe përdorimin e saj atëherë kur prodhimi në HEC-e është i reduktuar për shkak të mungesës së shirave. Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, deklaronte një vit më parë se po shqyrtohej mundësia për të depozituar energji dhe për ta rimarrë këtë të fundit atëherë kur do të ishte e nevojshme, pa qenë të detyruar kështu t’u nënshtroheshin çmimeve të importit. Por kjo mbeti thjesht dhe vetëm një ide që nuk gjeti zbatim as këtë vit krize, sa kohë që prurjet intensive të ditëve të fundit nuk po shfrytëzohen për rezerva energjetike, por po shkarkohen. Në këtë situatë, i vetmi lajm pozitiv, nëse mund të konsiderohet i tillë është fakti që fasha 800 kilovatë nuk do të aplikohet as në muajin dhjetor. Reshjet e këtyre ditëve shpëtuan shqiptarët nga 5- fishimi i çmimit të dritave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN