Policia e Tiranës ka shkatërruar një grup kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Tentakula” ranë në pranga 15 persona, mes tyre edhe një vajzë dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Lajmin e bëri të ditur Policia e Shtetit përmes një deklarate të drejtorit të policisë vendore të Tiranës, Lorenc Panganika, i cili theksoi se grupi kriminal shpërndante drogë në Tiranë, kryesisht në klubet e natës dhe pranë shkollave.
Deklarata e plotë:
Tiranë/Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Drejtues i Parë Lorenc Panganika, në konferencë për shtyp për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet megaoperacioni policor antidrogë i koduar “TENTAKULAT”.
Arrestohen 15 shtetas, shpallen në kërkim 2 shtetas dhe procedohen penalisht 14 të tjerë.
Sekuestrohen kokainë, heroinë, kanabis, shuma parash dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Përshëndetje,
Jam sot këtu, për të bërë prezente për ju dhe nëpërmjet jush, për publikun, rezultatet e megaoperacionit policor antidrogë të koduar “TENTAKULAT”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, në zona të ndryshme në qytetin e Tiranës dhe ambiente të ndryshme, kryesisht në lokale nate, por edhe në afërsi të disa shkollave.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbështetur dhe nga inteligjenca informative për disa shtetas që shpërndanin lëndë narkotike, në zona të ndryshme të Tiranës dhe në ambiente të ndryshme, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedim penal me këto vepra penale.
Pas një hetimi proaktiv disamujor, duke aplikuar metoda speciale të hetimit, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka urdhëruar ndalimin e 15 shtetasve që ushtronin këtë aktivitet kriminal.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “TENTAKULAT”, nga strukturat për Hetimin e Narkotikëve dhe strukturat e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit për shtetasit:
-E. H. 24 vjeç, E. H. 23 vjeç, R. M., 41 vjeç, A. M., 25 vjeç, L. H., 31 vjeç, S. M., 25 vjeç, E. K., 30 vjeç, H. K., 25 vjeç, I. E., 26 vjeç, R. K., 61 vjeç, D. Z., 22 vjeç, K. P., 25 vjeç, A. S., 45 vjeç, K. B., 23 vjeçe dhe B. K., 37 vjeç.
Gjithashtu, në vijim të këtij operacioni janë shpallur në kërkim 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 14 shtetas të tjerë.
Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, në kuadër të këtij procedimi penal, janë sekuestruar në total:
• 745 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje;
• 110 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza;
• 1.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza;
• shuma parash, në euro, dollarë dhe lekë;
• 5 peshore elektronike;
• 25 aparate celulare dhe
• 6 automjete, 1 motomjet dhe 1 biçikletë, që përdoreshin për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, pasi siguronin lëndët narkotike, kryesisht kokainë dhe heroinë, e tregtonin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në lokale nate. Gjithashtu, disa prej këtyre shtetasve siguronin lëndën narkotike kanabis dhe tentonin ta shisnin edhe në afërsi të disa shkollave në qytetin e Tiranës.
Theksojmë faktin se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, përgjatë këtij viti, ka finalizuar 38 operacione policore në fushën e narkotikëve, gjate të cilëve janë sekuestruar 6.5 kg lëndë narkotike kokainë, 73 kg cannabis sativa, 52 kg cannabis sativa në formë çokollate.
Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar dhe e vendosur per hetimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në cilëndo fushë dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë edhe më shumë me Policinë, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurtë.