Banda Kombëtare e Emirateve, ka kremtuar javën kulturore kushtuar Emirateve të Bashkuara Arabe me një koncert në Pallatin e Brigadave, në Tiranë.
Banda Kombëtare e Emirateve u krijua në janar të vitit 2020 nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Rinisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, si pjesë e strategjisë së saj për të fuqizuar dhe nxitur sektorin kulturor dhe atë krijues.
Gjithashtu për t’u dhënë të rinjve mundësinë për të zhvilluar dhe prezantuar krijimtarinë e tyre nëpërmjet trupës muzikore, dhe njëkohësisht për të ruajtur frymën e identitetit të Emirateve, artistikisht dhe muzikalisht, për të pasuruar Bibliotekën Kombëtare të Shtetit me krijime të shquara muzikore dhe artistike.
Performanca në Pallatin e Brigadave, është mbyllur me një degustim të ushqimit arab përgatitur nga shef Khaled.
Deri më 18 nëntor, në Tiranë e qytete të tjera, do të ketë një numër të madh aktivitetesh kulturore të artistëve të ardhur nga Emiratet.
Ato përfshijnë ekspozita, të llojeve të ndryshme, pëlhurash, artit islamik, shfaqje me fajkua që është edhe sporti tradicional i Emirateve, degustime të kafesë së famshme arabike e shumë të tjera.
Shumica e aktiviteteve do të zhvillohen në Tiranë, ndërkohë që do përfshihen edhe qytete si Gjirokastra, Vlora, Durrësi, Kruja e Shkodra.