MENU
klinika

Pranon kërkesën e SHBA-së

Kosova shtyn për 48 orë fillimin e gjobitjes për targat

22.11.2022 - 10:38

Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera që Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për targat e makinave që përdoren nga pakica serbe në veriun e Kosovës dhe kërkuan një afat 48 orësh për t’u dhënë një mundësi diskutimeve rreth kësaj çështjeje.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se “SHBA-ja është e shqetësuar që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nuk qenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje sot për zgjidhje të krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës të pezullojë për 48 orë shqiptimin e gjobave për t’u lejuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të angazhohen më tej me palët për të gjetur një zgjidhje”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e falënderuar ambasadorin Hovenier për, siç tha, përkushtimin dhe angazhimin e tij, pranoi “ kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, shkroi ai.

Më herët të hënën në mbrëmje zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se si kryeministri i Kosovës Albin Kurti ashtu edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç “do të duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që të mos rrezikohen dekada të paqes së fituar me vështirësi në një rajon të brishtë,” tha zoti Price.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ndërmjetësoi tetë orë bisedime të pafrytshme të hënën me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshje rreth targave të makinave që kanë shtuar tensionet në veriun e Kosovës.

Me 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit.

Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor.

Sipas vendimit të qeverisë nga e marta më 22 nëntor fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave.

Zoti Borrell tha pas takimit të së hënës se të dy udhëheqësit kanë përgjegjësinë “për të shtensionuar situatën”, por se të dyja palët kanë treguar mungesë respekti për detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare.

“Dhe kjo vlen posaçërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ”, tha zoti Borrell./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake"

Nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi