Shqipëria u mund në miqësore me Italinë me rezultatin 1-3, brenda në “Air Albania”. Pas sfidës, trajneri i Kombëtares kuqezi, Edy Reja, tha në një intervistë se donte një fjalor për të mësuar më mirën gjuhën shqipe.
Për këtë gjë dhe për të tjera, ka reaguar ish-futbollisti i Kombëtares, Sokol Kushta, i cili e ka sulmuar trajnerin italian. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kushta shprehet:
“Në ndeshjen vëllazërore (miqësore) me Italinë, shumë nga ne panë një ndeshje të bukur me raste, por s’do të ndalem aty. Prapë formacioni qe një shpikje e parafundit e trajnerit tonë, që ishte shumë i emocionuar deri në lot, kur do dëgjonte himnin italian.
Harroi që ishte trajneri i Shqipërisë. Dhe në fund të ndeshjes donte një fjalor të mësonte shqipen. Megjithatë, po të kishte ndonjë dëshirë për të punuar, kishte gjithë kohën në dorë. Lojtarë ka dhe ka detyrë t’i gjejë, jo t’ia japin me recetë të tjerët…”.