Beogradi po planifikon përshkallëzimin e situatës në veriun e Kosovës, me provokime dhe deri me sulme të mirëfillta nga eksponentë të krimit të organizuar.
Sipas burimeve të cituara nga KosovaPress, objektivat e sulmit mund të jenë organet e policisë por edhe të KFOR-it dhe të disa pjesëtarëve të EULEX-it.
Sipas këtyre burimeve, Serbia po mbledh eksponentë të botës kriminale në veri, veçanërisht ato që i përkasin organizatës “Severna Brigada”, e dyshuar për aktivitete të ndryshme ilegale.
Një nga liderët e grupit, Vladimir Radiojevic, banues në Zvecan, njihet me nofkën “Mami” dhe mësohet se ka njohuri të mirë me presidentin serb Aleksander Vucic, por edhe me botën e krimit serb.
Një tjetër nga iniciatorët e sulmeve sipas Kosova Press mund të jetë Aleksandar Jevremoviç nga Leposaviqi, nip i Goran Bogdanovic, ish-ministri serb për Kosovën në kohën e kryeministrit Mirko Cvetkovic.
Një tjetër personazh i dyshuar sipas informacioneve është edhe Uglesa Jaredic, ish komandant i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës për veriun, por që muaj me parë ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës.