Shtëpia e Xherxh Laçit, në Bregun e Lumit, është e kyçur me çelës. Bëhet fjalë për katin e dytë të ndërtesës dykatëshe, pronë e Xherxhit dhe ndërtuar prej Xherxhit.
Aty, banesa e tij dykatëshe, është e vetmja në “këmbë”, të tjerat janë rrafshuar. Përpara shtëpisë së tij janë rrënojat e dy shtëpive të tjera; janë shtëpitë e vëllezërve të tij, të cilat janë dhënë në kuadër të projekt-zhvillimit urban të zonës. Xherxhi me gruan dhe dy djemtë, Sulltanin dhe Albanin, kanë qëndruar aty, ndërkohë që Albani e ka mbaruar klasën e 9-të këtë vit.
Ka qenë nxënës i shkollës “Ardian Klosi” që gjendet vetëm pak metra nga shtëpia e tyre dhe në të cilën është mësues Fizkulture xhaxhai i tij. Ai që ka marrë përsipër, pas arrestimit të vëllait dhe strehimit të kunatës të shkollojë dy nipat, që sipas Policisë janë ngujuar nga ana e Xherxhit.
Aty takuam motrën e Xherxhit, e cila kishte ardhur për të takuar vëllanë-mësues: Duhet të flas me vëllanë për Xherxhin, çfarë do bëhet me të?
MASA E ARRESTIT
Xherxh Laçi, i arrestuar me bujë të madhe tri ditë më parë dhe i akuzuar se prej 6 vitesh mbante të ngujuar në banesë bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Për 50-vjeçarin me origjinë nga Dibra, Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë “Arrest në burg”. Prokuroria ngriti ndaj tij 3 akuza, dhunë në familje, keqtrajtim të miturish dhe armëmbajtje pa leje.
Por, gjatë seancës gjyqësore, 50-vjeçari i ka mohuar akuzat. Ai pretendoi se nuk ka detyruar asnjë nga familjarët të ngujoheshin apo të ketë keqtrajtuar bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Duke këmbëngulur se është i pafajshëm, 50-vjeçari shtoi më tej se fishekët dhe thikat që iu gjetën në shtëpi gjatë kontrollit, i mbante për punë. Ndërsa avokati i tij mbrojtës i kërkoi gjykatës që klientit të tij, Laçit t’i bëhet ekspertizë mjekoligjore për shëndetin mendor.
Dëshmia e bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve rrëzojnë argumentet e dhëna nga kryefamiljari Laçi në Gjykatë. Ata deklaruan në polici se janë detyruar të qëndrojnë të mbyllur në banesë për një kohë të gjatë. Ndërsa, bashkëshortja e tij ka pohuar se dhunohej sistematikisht nga ai dhe se askush nuk ka qenë afër tyre.
RRËFIMI I MOTRËS
“Ajo që i ka ndodhur vëllait tim mos i ndodhtë kujt. Të të fusë gruaja në burg pa i pasur asnjë borxh kujt, vetëm ne na ka ndodhur”.
Në fakt, ajo nuk ka ardhur për te shtëpia, por aty e ka nxjerrë rruga se donte të takonte vëllain që ishte i punësuar në shkollën e Bregut të Lumit, një shkollë e re 9- vjeçare. Do të flasë se çfarë mund të bëjnë për vëllanë, të cilin duket se e ka shumë përzemër. Në fakt askush në lagje, që fillon që në gjysmën e rrugës “5 Maji” nuk e priste që Xherxhi të konsiderohej dhe as të arrestohej si radikalist. Edhe motra, Rita, e pranon:
“Po, është besimtar, si të gjithë ne, po ai nuk mund të jetë as fanatik dhe as terrorist, për sa kohë ne jemi familje e lirë. Unë jam motra e tij, e i bie të isha me shami. Nuk besoj se kam ndonjë ndryshim me gratë e tjera! Ai është mbyllur në vetvete prej halleve të veta, po nuk është e vërtetë që i ka mbyllur e as ngujuar. Ai nuk do ta bënte gjithë këtë investim të mbante fëmijë e grua të izoluar.
Vetëm kopsht e bahçe që ka im vëlla, e tregojnë të vërtetën. Unë e di që është ngritur kurth ndaj tij, ama askush mos të mendojë se do ma bëjnë vëllanë radikalist e as besimtar fanatik. E vërteta do dalë një ditë e na nuk do ta lëmë pa e çuar në fund. Të jesh pa punë e pa të ardhura në këtë vend është gjë e rëndë. Mirë që të lënë pa copën e bukës, por edhe të fusin në burg, edhe të trajtojnë sikur je kriminel e terrorist. Kjo është e tepërt”.