“Gërshëra” me të cilën “asfaltoi” Serbinë ishte shtysa e duhur për Brazilin në start, që kërkon titullin pas 20 vitesh mungesë. Kur e sheh në fytyrë, në fizik, sulmuesi Richarlison të jep idenë e njeriut që ka dhënë shumë e ka marrë shumë grushte…
60 MILIONË INVESTIM – Në distancën e 10 minutave ndaj Serbisë shënoi po aq gola sa ka realizuar sivjet në 15 prezenca sezonale me Tottenhamin (dopietë ndaj Marseikke në Champions). Disi pak për njeriun që në 152 ndeshje me Everton kishte shënuar 53 gola dhe 14 asiste, që shtynë edhe pagesën e 58 milionë eurove për të.
Por natyra e tij shumë serioze dhe mjaft luftarake, gjithsesi bën që ai të ketë besimin e plotë të trajnerit Antonio Conte dhe drejtorit sportiv, Fabio Paraticci, sepse vetëm fakti që ka mësuar të bashkëjetojë në një repart me “Terminatorin” Harry Kane vlen më shumë sesa 100 gola.
JETA NË BRAZIL – Richarlison u rrit në Nova Valencia, 800 kilometra larg Rio de Janeiros, por si shumë djem të uritur për futbollin, ai u rrit mes topit dhe dhunës.
“Kur isha fëmijë, më vunë pistoletën në kokë, por futbolli më shpëtoi. Unë jetoja në një zonë të rrezikshme, por i shpjegova me qetësi se po shkoja të luaja me top, jo të shisja drogë në zonën e tij. Më shkoi mirë, pasi shumë miq të mirë kishin përfunduar me një plumb në ballë, në atë zonë ku isha i detyruar të kaloja çdo ditë”, tregonte Richarlison në 2021-in.
SHITËS AKULLORESH – Fëmijëria e tij ka qenë shumë e varfër. I rritur në një qytet të vogël, mes favelave me teneqe, për prindërit e tij kishte pak punë për të bërë:
“Shihja babain tim të punonte në ara për të paguar faturat dhe çdo muaj ishte e vështirë të kishim para për gjërat minimale. Por ai sforcohej, shumë madje, kështu që edhe unë vendosa të ndihmoja familjen, teksa një herë shisja akullore, pastaj karamele… Madje, në adoleshencë shkoja të mblidhja kafe me gjyshin”.
PA PATENTË – Gjithsesi, e shkuara tashmë është lënë pas, madje ka aq shumë para, sa pak ditë më parë shprehu edhe ëndrrën e tij pas futbollit: “Dua të blej një ishull privat dhe ta mbush me femra”. Deri këtu OK, por ndërkohë Richarlison duhet të nisë të studiojë, për të mos ngelur në provimin e radhës së patentës në Londër, pasi në Angli mund të shënosh, mund të kesh para e famë, por patenta nuk lëshohet lehtë.