Xherxh Laçi, 50- vjeçari dibran që u arrestua dy ditë më parë në rrugën “5 Maji”, për shkak se kishte mbajtur “peng” familjen e tij, vijon t’i qëndrojë faktit se i ka mbrojtur familjen e tij nga e keqja që është përjashta.
Ndërkohë që Prokuroria thotë se po heton, ndonëse ende nuk dihet se çfarë po heton në lidhje me atë ngjarje, në mbrojtje të Xherxhit kanë ardhur familja e tij. Bëhet fjalë për të atin, motrën dhe vëllanë.
Po ndërsa familja Laçi ka gjetur një person, të cilit t’i adresohet gjithë faji, e si rëndom këtu – gjithnjë e ka nusja – janë dëshmitë e dy djemve dhe të bashkëshortes së Xherxhit dhënë për prokurorin e çështjes që e ndërlikojnë edhe më shumë situatën.
Ky ndërlikim, në fakt, nuk është e gjitha shtim akuzash për të prangosurin, por për një sërë komponentësh, të cilët nuk kanë funksionuar në rastin e familjes Laçi, ose më saktë kanë dështuar.
Gruaja dëshmon se është dhunuar sistematikisht nga bashkëshorti i saj, ndërkohë fëmijët kanë treguar se ai flinte i armatosur nga frika se mos i iknin fëmijët dhe gruaja gjëkundi. Policia e ka ditur ekzistencën e tij, për shkak se shumë kohë më parë e kishte shoqëruar pasi kishte qëlluar në ajër me armë, por më pas ishte braktisur, ashtu siç braktisen thuajse të gjithë të pamundurit e këtij vendi.
Motra dhe vëllai të Xherxhit kanë fajësuar E., kunatën e tyre, që sipas tyre ka sajuar të gjithë historinë për të kërkuar azil dhe për të shkuar jashtë vendi, ndërkohë që i ati i Xherxhit është më i përmbajtur, teksa flet publikisht dhe mohon të kishte dijeni për dhunimin e fëmijëve dhe të bashkëshortes nga djali i tij.
Sipas të dhënave në fakt, ka dyshime që Xherxhi ka probleme serioze, çka i ati i tij i ka kërkuar Policisë dhe Prokurorisë ta ekzaminojnë. Tashmë, ndaj tij janë ngritur disa akuza, por më parë ai duhet t’i nënshtrohet kontrollit shëndetësor, kryesisht mental për të parë gjendjen në të cilën ndodhet.
MATERIALI HETIMOR
Prokuroria e Tiranës ka mundur të dokumentojë dëshmitë e dy fëmijëve dhe të bashkëshortes së personit që është vënë në pranga për mbajtjen nën dhunë dhe kërcënim brenda katër mureve për 6 vite.
Ndonëse ende nuk janë dokumentuar dëshmitë e dy familjeve, të Xherxhit dhe të bashkëshortes së tij, dy djemtë, që tashmë janë në moshë të rritur kanë treguar episode që lënë të kuptohet qartë se në çfarë gjendjeje kanë jetuar. Prokurori ka fiksuar në dosje dëshminë e njërit prej djemve:
“Prej 3 vitesh babai i tij, Xherxh, nuk ka lejuar të dalë asnjë njeri nga shtëpia ku banonin, atë se bashku me vëllain e mitur dhe mamanë e tij. Babai i tij nuk i ka lejuar të dalin fare nga shtëpia, duke i kërcënuar se ‘ai e di më mirë, se të tjerët duan t’i vrasin, ndërsa ai ka fituar’. Që pas kthimit të Xherxhit nga Italia, ai prej 20 vitesh nuk ka punuar më dhe së fundmi ka filluar të ushtrojë më shpesh dhe fenë myslimanë.
Fenë e ka praktikuar më shpesh 4 muajt e fundit, ku shkonte çdo të premte në xhaminë e Medresesë, ndërsa prej javësh e ka shkëputur nuk ka shkuar më as aty. Asnjëri prej prindërve të tij nuk punon.
Babai ishte i dhunshëm ndaj mamasë së tij, kundrejt së cilës ka ushtruar shpesh herë dhunë në sy të tyre, duke e goditur me shkop, me shuplaka me grushte, madje i ka treguar se i ka vënë edhe thikën në fyt. Ata jetonin brenda 4 mureve pa energji elektrike, pasi ia kishin ndërprerë. Ata ushqeheshin vetëm kur i çonin ushqim dhe ua linin tek dera familjarët si xhaxhai nga Dibra, gjyshi ose daja i tij”, thuhet në dosjen hetimore.
“Babai mbante thika në shtëpi, e herë pas here kur vinte rrotull nëpër shtëpi i mbante të varura në brez”, thuhet më tej në dosje.
Një tjetër moment i dhimbshëm në dosje është rrëfimi i djalit, i cili shprehet se ëndrra e tij më e madhe ishte që t’i rikthehej jetës normale si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë e të shkojë në shkollë dhe të bëjë një kurs për futboll. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe vëllai tjetër, i cili ka pohuar se babai i dhunonte, që kur ishin të vegjël. Po ashtu, thuhet se i vetmi person që mund të dilte pak herë nga shtëpia, ishte një prej djemve, që shkonte dhe karikonte fshehurazi një telefon që ia kishin dhënë familjarët e tyre.
I ati i Xherxhit
Nazif Laçi, babai i Xherxh Laçit ka mohuar se i biri është radikalist fetar dhe që dhunonte gruan e fëmijët:
“Çdo të premte shkonte e falej në xhami. Radikali nuk bën ato veprime. Njeri më të drejtë e më të sinqertë se ai nuk ka. Punonte me ndershmëri.
Ai ka bërë shtëpinë e vet. Nuk ka prekur me dorë as gruan as fëmijët. Ai nuk ka punuar as në firma, as në ndërmarrje. Bukën e gojës ia kemi sjellë ne, familjarët. Kishte ves, nuk linte askënd, as gruan në punë dhe as vetë nuk shkonte.
I kishte mbetur fiksim nga diabeti, e ka goditur në tru që nuk punonte.
Nuk linte as tjerët të punonin derisa arriti puna që u bë çfarë u bë. Kishte probleme të shëndetit mendore që herët. Ka qenë me letra të Italisë, e la punën atje dhe erdhi këtu.
Sëmundja e ka fajin. Ai duhet të shkojë në spital, jo në burg. 3 ditë e kanë lënë pa insulina. Kemi ardhur mbrëmë këtu, kemi thyer dyert e kemi marrë insulinat për t’ia çuar. Kishin qenë duke e lënë policët të vdiste”.
“Problemet janë të qeverisë që duan t’i prishin shtëpinë”
Motra e radikalistit Xherxh Laçi që ngujoi gruan dhe fëmijët për 6 vjet në Tiranë ka mohuar se vëllai të ketë probleme të shëndetit mendor. Ndryshe nga çfarë deklaroi i ati, ajo shprehet para mediave se nuk është i sëmurë dhe fëmijët nuk kanë vijuar arsimin e mesëm për shkak të problemeve ekonomike.
Ajo hedh akuza ndaj qeverisë që nuk i ndihmon për të gjetur punë. Ndër për pretendimet e gruas dhe fëmijëve se janë ngujuar për 6 vite, shprehet se e bëjnë për të dalë rrugëve.
“Të lirohet e t’i gjejnë Xherxhit një punë të lehtë, roje ta çojnë. Të çojë fëmijët në shkollë. Gruan t’ia fusin në një punë, pastruese në bashkia kudo. A ka shtet apo jo? T’i marrë se ka punë plot. Problemet janë të qeverisë se ka dhënë urdhër të prishë shtëpinë. Xherxhi nuk është i sëmurë, është me diabet, asnjë sëmundje nuk ka. Trutë fiks fare i ka.
Të shkojnë të arrestojnë doktorin pse nuk i jep pension Xherxhit. Gruan e fëmijët nuk i ka dhunuar, në asnjë mënyrë. S’është e vërtetë. Pretendojnë se duan të dalin e të bredhin rrugëve. Nuk i ka mbajtur as ngujuar. Nuk ka mundësi Xherxhi t’i çojë në gjimnaz. Xherxhi ka mbaruar shkollën e lartë, profesor është. Ai është njësh, i marrtë të keqen kush e shan”, tha Rita Kaca.