MENU
klinika

Fqinjët: Ishte i frikshëm, dilte nga banesa vetëm për t'u falur

Ngujoi dhe rrahu për 6 vite rresht gruan dhe fëmijët e tij, arrestohet ekstremisti mysliman!

06.11.2022 - 15:15

Prej 6 vitesh me radhë, një grua dhe dy fëmijët e saj të mitur janë dhunuar sistematikisht nga bashkëshorti i saj Xherxh (Gjergj) Laçi. 50-vjeçari, ekstremist mysliman, jo vetëm që u kishte lënë plagë të mëdha nga trumat e dhunës, por edhe i kishte ngujuar, duke u kufizuar çdo kontakt me botën e jashtme.

Dy fëmijët e tij, 15 dhe 17 vjeç, nuk gëzonin dot as të drejtën për të shkuar në shkollë si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Pasi kishin mbaruar shkollën 9-vjeçare, 50-vjeçari u kishte ndaluar atyre të vazhdonin gjimnazin.

Ndonëse mbaheshin të izoluar prej 6 vitesh, të afërmit ishin në dijeni, por nuk kishin marrë guximin për të denoncuar 50-vjeçarin. Ditën e sotme u bë i mundur arrestimi i tij, pas denoncimit që kishte bërë bashkëshortja.

Pas operacionit të zhvilluar nga njësia e Antiterrorit, janë gjetur dy thika dhe municione luftarake që 50 vjeçari i mbante në banesën ku jetonte. Mësohet se ai ka qenë i dënuar më parë për armbëmbajtje pa leje.

“Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dy mjete prerëse thika ndërsa gjatë kontrolleve të ambienteve përreth banesës, në oborr, u gjetën dhe sekuestruan 700 fishekë luftarak dhe krëhra automatiku”-thuhet në njoftimin e policisë.

Një prej fqinjëve thotë për mediat se 50-vjeçari e mbante familjen gjithë ditën të mbyllur me çelës, ndërsa nuk ishin në dijeni nëse fëmijët shkonin në shkollë apo jo.

“Në punë nuk shkonte. Nuk kemi komunikuar. Kanë 24 vjet që jetonin këtu. Punonte ushtar kryefamiljari. Prej 10 vitesh pa punë. Vuante nga probleme mendore, ka qenë çuar njëherë në spital.

Bashkëshortja e sëmurë. Kishim frikë me e pa, ishte njeri i frikshëm. Fëmijët? Dilnin, shkonin në shkollë. Pse i mbante të ngujuar? Se di. Nuk fliste ajo. I mbante mbyllur brenda në çelës”, tha fqinja.