Në listat e zgjedhësve vjet në prill ishin rreth 3 milionë e 600 mijë shtetas 18 vjeç e sipër. Nga këta, rreth 1 milion e 500 mijë ishin në emigracion. (Kështu rezulton nga ndërthurja e të dhënave të INSTAT-it, Bankës Botërore dhe Barometrit Ballkanik, të financuar nga NED-i amerikan.)
Nga rreth 2 milionë e 100 mijë zgjedhës që nuk ishin vjet në emigracion (pra ishin në atdhe), 1 milion e660 mijë morrën pjesë në zgjedhjet parlamentare të prillit të vjetshëm – 46.3% e zgjedhësve në lista ose rreth 80% e zgjedhësve që ishin në atdhe.
Nga 1 milion e 660 mijë zgjedhës që votuan vjet, rreth 60 mijë kanë ikur në botën tjetër ose drejt emigracionit – po t’i mbetemi besnikë koeficientëve zyrtarë të vdekshmërisë dhe emigracionit (që publikon periodikisht INSTAT-i). Por po të faktorizohen edhe raportimet e huaja rreth emigracionit shqiptar, firoja mund të jetë deri në 160 mijë…
Nga raportimet e mediave vendasve e të huaja duket se emigracioni ka marrë përmasa të mëdha kryesisht në zonat mbi Lumin e Tiranës e deri sipër në Has e Tropojë. Ndërkohë që nuk ka sesi të dihet se çfarë orientimi politik kanë zgjedhësit që emigrojnë nga ato zona, dihet se partitë opozitare i patën rezultatet më të mira pikërisht atje vjet në prill.
Kështu, në territorin e Bashkisë Kamëz (nga Babrruja deri në lumin e Tapizës), partitë opozitare morën së bashku 58% të votave. Në territorin e Bashkisë Krujë, morën 50.3% të votave. Në territorin e Bashkisë Kurbin, morën 68.7 të votave. Në territorin e Bashkisë Lezhë, morën 57% të votave. Në territorin e Bashkisë Mirditë, morën 60.7% të votave. Në territorin e Bashkisë Bulqizë, morën 54% të votave. Në territorin e Bashkisë Klos morën 53% të votave. Në territorin e Bashkisë Dibër, morën 58.6% të votave. Në territorin e Bashkisë Shkodër, morën 61.2% të votave. Në territorin e Bashkisë Malsi e Madhe, morën 50.2% të votave. Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, morën 53.6% të votave. Në territorin e Bashkisë Kukës, morën 61.7% të votave. Në territorin e Bashkisë Has morën 64.2% të votave. Dhe në territorin e Bashkisë Tropojë, morën plot 2/3 e votave.
Në qoftë se eksodi nga këto territore drejt Europës e Britanisë do të vzhdojë, epërsia elektorale që partitë opozitare kanë patur në to do të tkurret…