MENU
klinika

“Do kemi një situatë të rrezikshme”

Paralajmërimi i Borrell për Kosovën dhe Serbinë

14.11.2022 - 19:43

“Mund të them që jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit dhe të dyja palët duhet që urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve”, tha në një konferencë për media, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Ai tha se 21 nëntori nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat, ose siç tha ai “do të kemi situatë të rrezikshme”, raporton Radio Evropa e Lire.

Borrell tha më herët gjatë ditës se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.

“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, të cilin duhet ta shqyrtojnë [palët]”, tha Borrell para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet në Bruksel.

As pas takimit, ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi, por falenderoi Francën dhe Gjermaninë për ndihmën.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë aktualisht janë të larta, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto makina, rreth 9.000 sosh, qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, ndërsa Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.