MENU
klinika

Nga Mero Baze

Përse po emigrojnë njerëzit e Foltores nga Parlamenti drejt bashkive?

14.11.2022 - 20:16

Luçiano Boçi është kryetari i Grupit Parlamentar të Berishës dhe nënkryetar i partisë së tij. Formalisht ai është numri dy i partisë së Berishës, çfarë mund të konsiderohet kulmi i karrierës në atë parti, pasi dihet që karrigen e parë nuk e lëshon Berisha.

Edhe pse partia është ende në gjendje informale, ai e ka arritur kulmin e karrierës së tij.

Një politikan që kap këtë nivel, natyrisht pret zgjedhjet politike të fitojë dhe të marrë postin për vendin që i takon, i cili zakonisht është kryetari i Parlamentit.

Kështu së paku ka shkuar fati i zonjës Topalli, ose më shumë akoma, president, siç përfundoi zoti Topi.

Pra formalisht Luçiano Boçi ka arritur majën që mund të arrish nën hijen e Berishës, pa mundim.

Por befas, kur u ngjit në maj, lëshoi mandatin dhe po kthehet në shtëpi, të kandidojë për kreun e Bashkisë së Elbasanit.

Përse kjo tërheqja e tij nga maja e pushtetit të PD në provincë?

Shpjegimi i parë dhe i fundit në fakt është se ka kuptuar që nuk ka “majë”, dhe nuk duket asgjë në horizont nga “maja” ku e ka ngjitur Berisha.

Pasi ka prekur “majën” e ka kuptuar se nuk ka asnjë perspektivë dhe se mund të vegjetojë aty në Kuvend, nën presionin e perëndimorëve pse mbështet Berishën dhe nën presionin e berishistëve, pse shkon me Bashën.

Mes këtyre dy dilemave, mes qejfit për të qenë me Bashën dhe hallit që është me Berishën, ai ka zgjedhur skemën e njëjtë me Grida Dumen apo Alfred Rushaj, por pak më të moderuar dhe të kamufluar.

Po shkon të kandidojë në Elbasan duke dorëzuar mandatin. Po fitoi, është fitore e madhe për të, por dhe po humbi është fitore, pasi shpëton nga presioni për t’u rreshtuar me një palë.

Në fakt, i njëjti motiv duket qartë dhe tek kandidimi i Këlliçit. Edhe ai është thuajse në majë të karrierës politike brenda partisë së Berishës, dhe po ashtu nën presionin e SHBA për t’u ndarë prej tij dhe nën presionin e njerëzve të Berishës për të qëndruar aty.

Dhe për të mos ikur si njeri meskin “për punët e veta”, siç po ikin të tjerët, po ikin si “luftëtar” për t’u përleshur me “kuçedrën” që u ka marrë Tiranën.

Në fakt nuk është aq shumë motiv fitorja, se ikja një herë për një herë nga apeli i Berishës çdo mëngjes, që numëron kë ka blerë e kush e ka shitur çdo mëngjes.

Emigrimi i deputetëve të rëndësishëm të Berishës nga kreu i paritsë së tij drejt bashkive, është i njëjtë me motivin e deputetëve të tjerë që ikin në bizneset e tyre. Kanë të njëjtin motiv në sfond, mungesën e perspektivës me Sali Berishën dhe Ilir Metën në krye.

Ndryshe nga ata të tjerët, këta që ikin për të kandiduar, ikin me më shumë dinjitet dhe me më shumë finesë. Por në mendja kane thjesht si të kin prej asaj liste.

Dhe kanë gjetur një shteg të mirë, i cili dhe nëse nuk i nxjerr në karrigen e pushtetit, i nxjerr në liri nga Sali Berisha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN