Në kuadër të Javës Kombëtare Kulturore që i është kushtuar Kosovës, si dhe në kuadër të shpalljes së vitit 2022 si “Viti Ali Podrimja” nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, u mbajt në mjediset e QKLL-së aktiviteti letrar “Poezia e Podrimjes”.
Të ftuar ishin studiuesit Viola Isufaj, Gazmend Krasniqi dhe Ermir Nika, të cilët folën për figurën e poetit nën moderimin e Anxhela Lepurit.
Që prej kujtimeve dhe mbresave vetjake, të bisedave me Podrimjen mbi poezinë, çfarë përfaqësonte ajo te poeti dhe qenia e tij modeste, biseda u shtri mbi rëndësinë dhe epokën e kthesës që shenjoi poezia e Podrimjes pas një tradite të gjatë letrare të Kosovës në këtë zhanër, përfshirja në këto poezi të elementeve përfaqësuese të etnisë dhe kombit shqiptar si kulla, gurët, toka, toponimet, po ashtu përfshirja e simbolikës në poezinë e tij, e cila do të ishte elementi letrar më përfaqësues.