Përkujtohet sot 78-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka kryer homazhe dhe ka vendosur kurora me lule te monumenti “Nëna Shqipëri”. Po kështu dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka kryer homazhe. Të pranishëm kanë qenë dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla si dhe deputetë të maxhorancës.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Nuk mungonte trupi diplomatik si dhe drejtues të ndryshëm institucionesh.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.
Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.
Përvjetorët e Çlirimit shënohen me homazhe tek përmendorja “Nënë Shqipëri” pranë Varrezave të Dëshmorëve.
Kryeministri Edi Rama uroi mëngjesin e sotëm 29 Nëntorin. “GËZUAR DITËN E ÇLIRIMIT”, shkroi Rama.