Një pjesë e mirë e përfaqësuesve që marrin pjesë në Botëror kanë bërë publike listat e lojtarëve që do të jenë në Katar 2022. Edhe Zvicra zbuloi 26 futbollistët, ku mes tyre janë 3 shqiptarë, madje njëri prej tyre kapiteni. Bëhet fjalë për Granit Xhakën, mesfushori që luan me Arsenalin.
Nuk mund të mungonte edhe Xherdan Shaqiri, që luan në Amerikë me Chicago Fire. Surpriza e madhe është Ardon Jashari që aktivizohet në kampionatin helvet me Luzern.
Ky i fundit është 20 vjeç dhe luan si mesfushor shkatërrues tek ekipi zviceran. Jashari ka lindur në Zvicër dhe është një prodhim i klubit të Luzernit. Ai po zhvillon paraqitje shumë të mira në kampionatin helvet dhe deri në këtë fazë të sezonit numëron 14 ndeshje.