Kryeministri i Shqipërisë thotë se është ende në pritje të një faljeje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për komentet e Sekretares së Brendshme Suella Braverman, e cila i përshkroi emigrantët shqiptare si “pushtues” të Britanisë.
Në një intervistë për “Skynews”, Rama tha: “Nuk kam dëgjuar kurrë një falje, gjë që më bën të mendoj se në vend të shprehjes së ekzagjeruar të zhgënjimit, ky ishte një sulm i llogaritur”.
“Dhe kjo është gjëja më shqetësuese. Kur kërkon falje, është në rregull – ndodhi. Kur nuk e bën, dhe kur e shmang, atëherë do të thotë se dëshiron diçka nga ajo që thuhet. Pra, do të thotë se ka një llogaritje pas saj, do të thotë që vërtet po flet me një numër të caktuar votuesish që duan të dëgjojnë këtë. Dhe ju po i ushqeni me këtë sepse keni nevojë për votat e tyre. Por pasojat e kësaj mund të jenë shkatërruese për njerëzit, për njerëzit tanë në Britani dhe për vetë Britaninë.”
Ai tha se ka ngritur vazhdimisht idenë e një force speciale të përbashkët me MB për të ndihmuar në shënjestrimin e trafikantëve.
Diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, pas deklaratave të bëra nga sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale.