MENU
klinika

Nga listat, te stoli dhe dëmtimet

Rregullat e reja për ekipet gjatë Botërorit 2022

09.11.2022 - 22:15

Na ndajnë edhe 11 ditë nga Botërori i Katarit. Shumë skuadra kanë nisur të publikojnë listën e lojtarëve të grumbulluar. Por në Kupën e Botës janë dhe një seri rregullash që duhen ndjekur nga pjesëmarrësit.

LISTAT – Në bazë të rregullores, secila nga skuadrat pjesëmarrëse në këtë eveniment do të ketë të drejtën të grumbullojë 26 lojtarë, tre më shumë se në 21 edicionet e deritanishme të botërorëve.

Këta 26 lojtarë do të dalin nga lista paraprake e 55 të grumbulluarve që ka qenë gati një muaj para nisjes së garës. Si datë e fundit që skuadrat pjesëmarrëse duhet të paraqesin listat e tyre është caktuar 14 nëntori në orën 19:00. Një ditë më vonë FIFA do t’i bëjë publike të gjitha listat.

REZERVAT – Në stolin e rezervave do të shtohet numri i lojtarëve. Në krahasim me deri më tani, në kampionatin botëror në Katar do të jenë 15 lojtarë që do të qëndrojnë në stol, 3 më shumë se botërorët e mëparshëm. Zëvendësimet në një ndeshje do të jenë 5. Po ashtu, për çdo ndeshje të 26 lojtarët e grumbulluar do të jenë të gatshëm për të luajtur.

DËMTIMET DHE COVID – Kanë qenë një nga shkaqet përse FIFA vendosi që lista paraprake e lojtarëve të grumbulluar ishte me 55 të tillë. Në kampionatin botëror, në rast se një lojtar dëmtohet para nisjes së Botërorit, do të mund të zëvendësohet deri në 24 orë nga nisja e kompeticionit. Në rast pamundësie për të luajtur gjatë turneut për shkak të koronavirusit apo dëmtimeve të tjera, lojtari apo lojtarët nuk mund të zëvendësohen.

DITA E FUNDIT – E diela e 13 nëntorit 2022 do të jetë dita e fundit që klubet mund të kenë në shërbim të tyre lojtarë të kombëtareve pjesëmarrëse në Botëror.

RIMBURSIMET – Çdo klub do të përfitojë 10 mijë euro në ditë nga FIFA për çdo lojtar të angazhuar në Botëror. Shpërblimi i përgjithshëm për klubet do të jetë 209 milionë euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN