Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nënshkroi sot, së bashku me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe prokurorin e përgjithshëm, Olsian Çela , marrëveshjen e bashkëpunimit “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”.
Ky nënshkrim vjen një ditë pas marrëveshjes së Shkupit, “Për rikthimin e ikonave të trafikuara në vendin e tyre të origjinës” mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut.
Ministrja Margariti ka falenderuar ministrin Çuçi dhe prokurorin e përgjithshëm, për punën e deritanishme, dhe u shpreh se është e bindur se kjo marrëveshje do të rrisë ndërveprimin mes institucioneve, duke e bërë atë më eficent dhe profesional, duke siguruar ruajtjen e specializuar të veprave të dyshuara si objekte të trashëgimisë kulturore dhe shmangien e çdo lloj dëmtimi të tyre përgjatë të gjitha proceseve që nisin që me sekuestrimin, me hetimin dhe identifikimin e këtyre objekteve.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja ka falenderuar edhe Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe stafin e Ministrisë së Kulturës për angazhimin në ruajtjen dhe identifikimin e objekteve të sekuestruara, të dyshuara si trashëgimi kulturore, një pjesë të të cilave u ekspozuan edhe sot.