MENU
klinika

“Rusia rrezikon të lërë gjithë botën në uri”

SHBA thirrje Moskës për t’iu rikthyer marrëveshjes

01.11.2022 - 12:30

Vendimi i Rusisë për të bllokuar eksportin e drithërave në Detin e Zi, është një shantazh kolektiv, sipas SHBA. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha ndër të tjera se Rusia po e përdor edhe një herë ushqimin si armë, në një luftë që ajo filloi.

“Mënyra më efektive për të garantuar sigurinë ushqimore do të ishte që Rusia t’i kthehet marrëveshjes dhe të ndalojë luftën kundër Ukrainës”, tha Price për Zërin e Amerikës.

Çmimet botërore të ushqimeve kanë filluar të rriten sërish për shkak të pasigurisë rreth marrëveshjes së drithit në Detin e Zi. Price theksoi se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Rusisë që të vazhdojë pjesëmarrjen e saj në nismën e grurit.

“Ne duam që kjo nismë të ringjallet. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të respektojë angazhimet që ka marrë për të mos penguar furnizimin me drithëra dhe produkte të tjera ushqimore shumë të nevojshme”, tha ai.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, asnjë vend tjetër “nuk mund të zëvendësojë aftësinë e Ukrainës për të eksportuar grurë përmes Detit të Zi”.

“Çdo veprim i Rusisë që synon bllokimin e eksporteve të drithit jetik do të tregojë, në fakt, se Kremlini nuk i intereson nëse njerëzit dhe familjet në mbarë botën paguajnë më shumë për ushqim apo janë të uritur,” tha ai, duke shtuar se përpjekjet e Moskës për të marrë koncesione në këmbim të kthimit në “marrëveshjen e grurit” do të përbënin shantazh kolektiv.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si mund të realizohet operacioni i eksportimit

A do të ulë çmimet marrëveshja e grurit Rusi – Ukrainë?