MENU
klinika

Fierza arrin 269 metra

Shirat përmirësojnë situatën energjetike!

20.11.2022 - 20:14

Reshjet e ditëve të fundit, por edhe kursimi i rrymës elektrike në rang vendi kanë përmirësuar situatën e energjetike. Të dhënat e fundit nga KESH tregojnë se niveli në Kaskadën e Fierzës ka arritur në 269 metra.

Ndërsa në Koman ka nisur këtë të diel shkarkimet siç duket edhe në këto pamje. Sipas KESH, prurjet në Hidrocentralin e Fierzës kanë arritur në 600m3/s.

Sipas Ministrisë së Energjisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shqiptarët kanë konsumuar 7 % më pak energji elektrike në muajin tetor.

Enea Karakaçi, drejtor i Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Energjisë:

Ajo që ne kemi konstatuar në muajin Tetor në krahasim me muajin Tetor të vitit të shkuar është një ulje e konsumit me rreth 7%. Konsumi mesatar në muajin Tetor të këtij viti ka qenë rreth 15 500 megavat/orë, ndërkohë që mesatarisht në muajin Tetor të vitit të shkuar ka qenë 16 600 megavat/orë dhe mbi këtë shifër.

Një tjetër faktor është edhe kursimi i energjisë elektrike nga institucionet shtetërore.

“Nga shifrat e para që kemi, në muajin Tetor të këtij viti ka një ulje të institucioneve buxhetore me 22% të konsumit të energjisë elektrike, krahasuar me vitin e shkuar”.

Pak ditë më parë ministrja e Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se për shkak të reshjeve me intensitet po mendohet që Shqipëria të nisë eksportin e energjisë elektrike ose ta shkëmbejë atë me Kosovën.