Në edicionin e 25-të të Panairit të Librit janë ndarë sot çmimet për autorët dhe përkthyesit e këtij viti nga juria e cila përbëhej nga Virgjil Muçi, Aleksandër Cipa, Vjola Isufaj, Alina Karaulli dhe Agim Baçi.
Çmimi i Letërsisë për fëmijë i akordua Natasha Shyteriqit me librin “Kalendari i ëndrrave të mollës” që sipas jurisë “përmes një proze poetike autorja ka ditur të ndërtojë një botë magjike për të miturit. Falë një stili të thjeshtë e elegant, por edhe një gjuhe të pasur e të rrjedhshme, që i shkon për shtat fëmijëve, ajo ia ka dalë mbanë të krijojë një vepër letrare që i jep krah fantazisë dhe edukon me dashurinë për natyrën e, padyshim, dijen të lidhura tok me librin dhe leximin”.
Çmimi për përkthimin nga letërsia franceze shkoi për Klarita Lagji, si përkthyese e veprës “Vendi i babait” nga nobelistja Annie Arnaux.
Juria vlerësoi për veprën më të mirë studimore Arben Imamit për “Tri format e mendimit: Mitologjia, Racionaliteti, Religjoni”.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Leximit Alda Bardhyli dorëzoi çmimin “Përkthimi më i mirë për 2022” për Romeo Çollakun, për përkthimin e romanit “Varfanjaku i Zotit” nga Niko Kazantzakis, një botim nga Kosova.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dorëzuar çmimin si autori më i mirë shqiptar shkrimtarit Zija Çela për veprën e tij “Banka e Ankesave” me motivacionin “Për rrezatimin e një urtie dhe përvoje të pasur letrare në identifikimin e bjerrjes së shpirtit njerëzor, si dhe tjetërsimit të fytyrës së vdekjes e të dashurisë në labirintet e një bote që shkon e përfton trajta distopike”.
Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës do të vijojë të jetë mbështetëse e Panairit të Librit.
“Si drejtues i bashkisë mendoj se në këtë vit të rinisë ndoshta ky ka qenë sponsorizimi më i mirë që kemi bërë. Do doja që ta vazhdonim çdo vit duke e rritur. Ndoshta duke rritur dhe kohëzgjatjen duke i dhënë mundësinë sa më shumë zhanreve që të prezantohen dhe sa më shumë shkrimtarëve dhe ndoshta marrin dhe më shumë hapësirë se Pallati i Kongreseve. Ndihem mirë që bashkia ishte sponsor kryesor i këtij aktiviteti. Mezi pres që vitin tjetër ta çojmë akoma më tej”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë theksoi se Tirana do të jetë sinonim me panairin e librit. “Më vjen mirë që steka ka ardhur duke u rritur. Dua shumë që qyteti të jetë sinonim me panairin e librit. Si kryetari i Bashkisë në vitin e Rinisë, jam vërtetë i lumtur që Petriti dhe gjithë kolegët promovuan të rinj. Kishim shumë nevojë të merrnim këtë mesazh që këtu rinia ende prodhon ende ka dëshirë”, deklaroi Veliaj.
Veliaj nënvizoi se në një botë ku kufijtë e debatet diplomatike janë akoma tema të nxehta, libri i kalon këto barriera. “U inkurajova që ka shumë letërsi të mirë për fëmijët. Si një frankofon i vonuar me vjen shumë mire për përkthime serioze dhe voluminoze. Zonjës Duda gjithmonë i qëllon që nuhat fituesit dhe nobelistët e radhës dhe i paraprin shumë prej këtyre personazheve. Shumë urime Benit. Vërtetë e vlerësova mesazhin e përkthyesit tonë Romeos. Në një botë ku kufijtë, debatet diplomatike ku njohjet mosnjohjet janë akoma tema të nxehta, libri i kalon këto barriera dhe ju falenderoj shumë për këtë kontribut”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.