MENU
klinika

Zgjatet afati për shqyrtimin e dosjeve pa vendim

Si pritet të ndryshojë skema e kompensimit?

29.11.2022 - 17:08

Agjencia e Trajtimit të Pronave do të rimarrë në shqyrtim mbi 7 mijë dosje të patrajtuara në fazën e parë.

Me anë të ndryshimeve ligjore, të cilat janë duke u diskutuar në Kuvend parashikohet zgjatje e afatit me dy vite, përkatësisht deri në 31 dhjetor 2024 për shqyrtimin e këtyre dosjeve.

AFATI I RI
Vlerësimi do të bëhet me skemën e re, çka do të thotë se prona do të vlerësohet bazuar në zërin kadastral që ka në momentin e konfiskimit, por në asnjë rast pronarët nuk do të përfitojnë më pak se 10 për qind të vlerës që ajo ka sot në treg. Ky është edhe kushti i vendosur më herët nga Gjykata e Strasburgut.

“Procesi i vlerësimit të kompensimit, që janë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.133/2015 dhe që nuk janë shqyrtuar nga Agjencia, për shkak të përfundimit të afatit ligjor, përfundon brenda datës 31.12.2024. Përmes këtij parashikimi, ligji rihap mundësinë e shqyrtimit administrativ nga ATP-ja të dosjeve të pa vlerësuara për shkak të përfundimit të afatit 3-vjeçar.

Ky ndryshim vjen në përputhje me kërkesën e ekspertëve, grupeve të interesit dhe shoqatave të ish-pronarëve nga konsultimet publike të realizuara për këtë qëllim”, thuhet në draftin e ri ku qartësohet po ashtu se “nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati detyrimin, pronarit i lind e drejta t’i drejtohet Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, për të kërkuar vlerësimin financiar. Prioritet për shqyrtimin e dosjes do të kenë vendimet përfundimtare në rend kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm.

SKEMA
Gjithsej janë më shumë se 25 mijë vendime në pritje të ekzekutimit. Drafti i ri i pronave që pritet të miratohet brenda këtij viti, do të sjellë edhe ndryshim të skemës së kompensimit për ato familje që kanë pasur një tokë e cila aktualisht ka statusin e tokës truall por në momentin e konfiskimit rezulton jashtë vijës së verdhë.

Në këto raste, ligji përcakton që pronarët të përfitojnë 10 për qind të vlerës së kompensimit. Kjo vlen edhe për ato familje që iu është kthyer një pjesë e pronës. Në proces rivlerësimi janë mbi 4 mijë dosje me një faturë financiare shtesë rreth 18 miliardë lekë.

Projektligji parashikon po ashtu indeksimin deri në ekzekutimin përfundimtar të vendimeve të kompensimit, për vendimet e kompensimit, të cilat janë bërë përfundimtare, të paekzekutura sipas afateve të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe të plotësuara me dokumentacionin e nevojshëm, në përputhje me kërkesat e parashikuara në formularin e aplikimit.

Kjo do të thotë që masa e përfitimit do të indeksohet për çdo vit vonesë në ndarjen e kompensimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Financat: Të shtyhet procesi

Rivlerësimi i pronave deri në dhjetor?

Nga shtimi i numrit të policëve, tek forcimi i OFL dhe blerja e pajisjeve për SPAK

Ndryshimet në buxhet, ja si do të ndahen paratë

Mundësi pagese të tarifës deri në korrik

Shtyhet rivlerësimi i pasurive të paluajtshme?