MENU
klinika

Për dashurinë dhe gjyshet

“Sot një këngë do këndoj… veç për ty, o gjyshja ime”

03.11.2022 - 16:33

“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”, thoshte Dritëro Agolli për Vaçe Zelën, artisten ikonë të skenës shqiptare.

Vaçe Zela e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Ju sjellim në vëmendje një ndër këngët më të njohura të Vaçes, këngën dedikuar gjyshes, si njeriu më i dashur për fëmijët.

Kënga “Gjyshes” nga Vaçe Zela

Sot një këngë do këndoj,
Veç për ty , o gjyshja ime.
E di mirë dhe s’e harroj
të shkaktova shumë trazime

Këngën time ta kushtoj
e të falur të dërgoj
për shumë faje e gabime ,
net pa gjumë edhe mundime.

Ti u zbardhe, gjyshja ime.
E çdo vit një rrudhë shton
sa kokëçarje shqetësime
sjellja ime të shkakton.

Por ti je gjithnjë e mirë
edhe fajin shpejt ma fal
T’ jem e urtë unë kam dëshirë,
por se vrullin dot s’e ndal.

Kur fëmijë kam qenë një herë
e pranë zjarrit me ty rrija.
Më tregoje ti atëherë
shumë gjëra që unë s’i dija.

Unë dëgjoja gjithë çudi ,
plot kureshtje, kënaqësi.
Dhe sa shumë nga ti mësoja.
Me sa vrull të përqafoja.

Shkuan vitet e tani
s’jam e vogël si atëherë.
Por gjyshe unë përsëri
ta prish qejfin nganjëherë.

Por se prapë edhe sot
për çdo gjë ti më del zot.
E shikimi yt i dlirë
më jep forcë të jem e mirë.

/ Në një kohë kur opinioni publik shqiptar dhe mbarëkombëtar u trondit nga një video, në të cilën shfaqej një e moshuar e dhunuar brutalisht nga punonjëset e një azili pranë qytetit të Pejës, kur ndërkohë pritej që prej këtij institucioni ajo të fitonte asgjë tjetër veçse përkujdesje, nuk mund të pranojmë që vlerat e humanizmit të përfaqësohen me një akt të tillë.

Media, shpeshherë si një dritare iluminimi për mbarë ndjekësit e saj, do të duhet të jetë një burim i civilizimit, ku flitet për vlerat e të qenurit njerëzor dhe përcjelljes së tyre. Në botë ka njerëz të lënduar, por njëkohësisht edhe të shëruar, çka domethënë ka dhe njerëz që luftojnë për të mbajtur gjallë pikërisht këto vlera.

Ndonjëherë nuk mjafton vetëm të tregojmë me gisht fytyrën e dhunës, as dënimi i saj. Parësore do të ishte përkujdesja pa pushim për këdo kemi pranë, qoftë kjo e përcaktuar si detyrë, po më së miri, kur përcaktohet nga virtyti i brendshëm.

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale