MENU
klinika

"Nuk kthehemi në institucione nëse Prishtina..."

Tensionet në veri të Kosovës, serbët organizojnë protesta

06.11.2022 - 16:22

Të dielën në veriun e Kosovës po mbahen protesta të organizuara nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik serb, një ditë pas vendimit të kësaj liste për t’u tërhequr nga institucionet e vendit.

Protesta është e drejtuar kundër veprimeve të autoriteteve të Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit politikë të serbëve në veriun e Kosovës akuzuan qeverinë e Kosovës për moszbatim të marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa qeveria qendrore në Prishtinë thotë se çështja e targave është e përcaktuar qartë në Bruksel.

Të dielën, kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, katër komuna këto në veriun e Kosovës, dhanë dorëheqje nga postet e tyre së bashku me këshilltarët komunalë nga radhët e Listës Serbe.

Përfaqësuesit politikë të serbëve thanë se nuk do të kthehen në institucione për sa kohë që autoritetet në Prishtinë nuk tërhiqen nga vendimi siç e quajtën të njëanshëm për targat dhe derisa të formohet Asociacioni i komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e parë të arritur në Bruksel.

Vendimi i serbëve nxiti reagime të shumta të zyrtarëve ndërkombëtarë që bënë thirrje për ruajten e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në veriun e Kosovës.

Zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana paralajmëroi të shtunën se forcat e KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në veriun e Kosovës ndërsa bëri thirrje që Beogradi dhe Prishtina të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin.

Misioni i KFOR-it në tha se po vëzhgon situatën dhe po bashkëpunon ngushtë me udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd si dhe me faktorët ndërkombëtarë, për të garantuar siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Ndërsa Bashkimi Evropian nëpërmjet një deklarate tha se zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vënë në rrezik shumë vite punë e arritje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Bashkimi Evropian u bëri thirrje të palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili sic thuhet në deklaratë, mund të çojë në tensione të mëtejshme.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e vendit nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, thuhet në deklaratën e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell.

Brukseli u bëri thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre në kuadër të dialogut dhe të kthehen në institucionet e vendit.

Në të njëjtën kohë, BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton sikurse thuhet në deklaratë, zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj bartësve të targave të lëshuara nga Serbia!

Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pasi që ky është detyrim ligjor i miratuar nga parlamenti i Kosovës.

Në Prishtinë, vendimi i serbëve nxiti reagime të ashpra të udhëheqësve të Kosovës të cilët akuzuan Serbinë se po përpiqet të destabilizojë Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të shtunën se largimi i tyre është akt kundër demokracisë dhe sundimit të rendit e ligjit dhe i nxitur nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç si vegël e Kremlinit. Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të ruajnë qetësinë, paqen, sigurinë dhe të mos i brakstisin institucionet e Kosovës duke rënë pre e, siç tha ai, manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike.

Partitë opozitare në Kosovë shprehën shqetësimin e tyre me situatën në veri, ndërsa i bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti, të reflektojë dhe të sqarojë se si do të garantohet ruajtja e rendit publik dhe sovranitetit të vendit.

Me një nëntor autoritetet e Kosovës filluan zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për targat e makinave që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, por kjo po kundërshtohet nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës të cilët nuk pajtohen me vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, RKS.

Diplomatët perëndimorë në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia për shkak të rrezikut për shtimin e tensioneve dhe krijimin e hapësirës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kosova ta zgjasë afatin për targat"

Borrell: Serbët të kthehen në institucione!


Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin