Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të mbajnë armëpushim njëmujor gjatë Kampionatit Botëror. Duke folur në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, Infantino tha se Kupa e Botës siguron një “platformë unike” për paqe dhe unitet, sepse ngjarja do të ndiqet nga rreth 5 miliardë njerëz në televizion.
“Lutja ime për të gjithë ju është që të mbani armëpushim për një muaj, aq sa zgjat Kupa e Botës. Ju jeni udhëheqësit botërorë. Ju e keni aftësinë të ndikoni në rrjedhën e historisë”, tha Infantino gjatë samitit të G-20 në Bali të Indonezisë.
Një mesazh paqeje që lë të kuptohet edhe njëherë tjetër se sporti dhe në veçanti futbolli është ndikuesi më i madh në botë. Kreu i FIFA-s pak ditë më parë u bëri thirrje të gjithëve që do të jenë në Katar të fokusohen tek ajo që ndodh në fushën e lojës dhe jo te politika.
Një mesazh i qartë për shumë federata dhe individë që tashmë nuk është momenti i duhur për të folur për të drejtat e njeriut në Katar apo atë që ka ndodhur me punëtorët gjatë ndërtimit të stadiumeve.