Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 25 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit.
Zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit do të mbahen pas dorëheqjes së anëtarëve të KK-ve, dhe shpërndarjes së tyre më 18 nëntor nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e këtyre komunave.
Osmani ka shpallur 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Më 23 nëntor, delegacionet e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje për targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.
Sipas BE-së, Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.
Por, derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, Lista Serbe ka thënë se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.
I pyetur se a do të marrin pjesë serbët në zgjedhje, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se kjo nuk do të ndodhë pa u formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Partnerët ndërkombëtarë, po ashtu, i kanë bërë thirrje Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionin.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e të dyja palëve mbeten larg. /REL